Prezantohet strategjia për armë të vogla dhe të lehta
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) është bërë prezantimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Armët e Vogla dhe të Lehta (AVL) për zbatimin e udhërrëfyesit, duke përfshirë prioritetet kryesore.
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, njëherësh koordinator Nacional për AVL, ka thënë se gjatë implementimit të fushatës për legalizimin e armëve, e cila ka filluar më 17 dhjetor 2018 dhe ka përfunduar më 17 shtator 2019, janë pranuar rreth 2 mijë kërkesa për legalizime, 11 kërkesa për çaktivizim, si dhe 2 kërkesa për shkatërrim të armëve të zjarrit.
Ai ka thënë se është duke u punuar në harmonizimin e ligjeve përkatëse me direktiva të BE-së të vitit 2017 dhe me rregulloret përkatëse.
Ndërsa ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, ka vlerësuar punën që po bëhet në këtë drejtim dhe gjithashtu ka konfirmuar përkrahjen e shtetit francez për këtë iniciativë.
“Franca do të vazhdojë t’ju ofrojë mbështetje në implementimin e planit tuaj dhe shpresoj që së bashku do të arrijmë suksese gjatë këtij procesi për një mjedis të sigurt për të gjithë”, ka thënë ambasadorja Butel, raporton “Ksp”.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të rishikohet statusi i zbatimit të udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe të municioneve në Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar deri në vitin 2024, si pjesë e nismës franko-gjermane dhe planin e miratuar në Kosovë.