Prezantohet trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare
Sylvinho Mendes Campos Júnior ka marrë drejtimin e Kombëtares Shqiptare.
Trajneri brazilian u prezantua gjatë një konferencë të përbashkët për medie me presidentin e federatës Armand Duka dhe ish-trajnerin Edoardo Reja.
Gjatë fjalës së tij, Duka tha se Sylvinho është një ish-futbollist i madh dhe u shpreh i bindur se FSHF ka bërë zgjedhjen e duhur për ekipin kombëtar.
“Ne kemi arritur një marrëveshje për të drejtuar ekipin kombëtar deri në 2024, kontrata është deri në fund të Evropianit që tregon se objektivi ynë është i qartë për të marrë pjesë. Do të bëjmë maksimumin që me stafin e ri të arrijmë objektivat. Sylvinho është një ish-futbollist i madh dhe jam i bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur për ekipin kombëtar”, ka thënë Duka.
Trajneri i ri në detyrë i kombëtares kuqezi, Sylvinho, ka marrë fjalën e tij për herë të parë duke shprehur si fillim një falënderim për punën e bërë të Reja-s dhe më pas ai ka folur për këtë zgjedhje.
“Përshëndetje të gjithëve, ju falënderoj që ndodheni këtu të gjithë. Puna e një trajneri është shumë e vështirë gjithmonë. Duhet të bëjmë shumë zgjedhje të cilat ndonjëherë nuk qëndrojnë. Falënderoj Rejën për punën e madhe që ka bërë. FSHF më bindi dhe për këtë gjë jemi të dy të kënaqur për të marrë përsipër këtë punë. Unë besoj se ne do të bëjmë një punë të mirë”, ka thënë Sylvinho.