Prezenca e NATO-s në Kosovë, e nevojshme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), kryesuar nga drejtori, Gjeneral Ralf Hoffmann.
Në këtë takim është biseduar për tranzicionin e FSK-së në Forca të Armatosura, për mbështetjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë, për domosdoshmërinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin tonë të rregullt në forcimin e institucioneve të sigurisë.
Duke theksuar kontributin e Kosovës në sigurinë rajonale dhe profesionalizmin e institucioneve të sigurisë, kryeministri Haradinaj ka theksuar përkushtimin që Kosova në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike.
“Një ushtri e modeluar sipas kritereve të NATO-s, profesionale dhe gjithëpërfshirëse, do të jetë aleat i besueshëm e kredibil për siguri dhe paqe të qëndrueshme në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Drejtori i NALT-it, Gjenerali Ralf Hoffmann, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/