Prijësit fetarë në Maqedoni të Veriut bëjnë thirrje për vaksinim
Prijësit fetarë në Maqedoninë e Veriut i kanë bërë thirrje popullatës që të vaksinohet kundër koronavirusit, si mënyra e vetme për mbrojtjen e shëndetit nga sëmundja COVID-19 dhe kthimin e vendin në gjendje normale.
Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, Bekim Sali, të mërkurën, më 2 shkurt, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefani tha se kisha që në fillim ka bërë thirrje që të respektohen masat për mbrojtje nga pandemia, por edhe një herë apelon tek besimtarët që të mbrohen nga virusi përmes vaksinimit.
“Në masazhet për festat e mëdha fetare kemi apeluar vazhdimisht që të respektohen masat, sepse është më mirë të parandalohet diçka sesa të shërohet”, ka deklaruar kryepeshkopi, Stefani.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, ka thënë e institucioni fetar që ai drejton po i përmbahet rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe rregullave rregulloreve islame, për mbrojtjen e besimtarëve nga infektimi me koronavirus, raporton “Rel”.
Ai ka thënë se nëpër xhami, në veçanti ditëve të premte jepem mesazhe për të respektuar masat mbrojtëse por edhe për tu vaksinuar.
“Në të gjitha xhamitë në faljet e xhumasë kemi bërë apel që të respektohen masat, por edhe kemi përcjellë mesazhet që besimtarët ta marrin seriozisht vaksinimin”, ka thënë Fetahu.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në takim ka pritur edhe peshkopin e Kishës Katolike, Kiro Stojanov dhe kryetarin e Bashkësisë Hebraike, Pepo Levi.
“Në një kohë pandemie, kur të gjithë janë të prekur nga virusi dhe shumë prej nesh kanë humbur njerëz të dashur, dua të bëjë thirrje për vaksinim kundër kësaj murtajeje, e cila ka ndryshuar mënyrën tonë të jetesës tash e dy vjet. Jam i bindur se kjo është mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga përhapja e virusit, andaj vaksinohu”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Vaksinimi në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, ende nuk ka arritur në 50 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë dy milionëshe.
Deri të mërkurën, më 1 janar, 2022, me nga dy doza janë vaksinuar rreth 865 mijë persona.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në Maqedoninë e Veriut nga Covid-19 e kanë humbur jetën 8 470 persona dhe mbi 80 për qind e tyre kanë qenë të pa vaksinuar.