PRILLI DHE ILAZ KODRA

01 maj 2024 | 17:38

Bedri Islami

Dje, 30 prill, ishte ditërënia e njërit ndër kolosët dhe viganët e lirisë së Kosovës, Ilaz Kodra.
Është ndër rastet e rralla në historinë e kombit tonë, unë për vete nuk di tjetër, kur në harkun e pak më shumë se 7 muajve, në betejë të drejtëpërdrejtë me çetnikët serbë, duke mbrojtur popullin e tyre, do të vriten dy komandantë të shquar dhe dy nga emblemat më jetëdhënëse të luftës: Fehmiu dhe Ilazi.
Është , po ashtu, sinjifikative që të dy ata, kishin qenë dhe mbetën deri në fundin e jetës së tyre, liderët e luftës, pas së cilëve populli shkonte pa ngurrim dhe i besonte deri në fund, ashtu si mund ti besohet vetëm njerëzve jetëdhënës.
Do të doja të kisha pasur më shumë kujtime me Ilaz Kodrën, megjithëse edhe ato që kam, janë bërë pjesë e jetës sime, ashtu si bëhen gjërat e çmuara, të cilat njeriu i ruan në vete, deri në momentin e fundit.
Ishte një burrë i ri, do të doja të thoja mes djalit që ishte burrëruar para kohe dhe burrit që kishte mbetur në zemër djalë i ri. Më shumë i heshtur dhe fjalë pak, nga ata që kur do të bisedosh, duhet të matesh mirë, sepse e ndjen, e di dhe e kupton se nuk janë të fjalëve të shumta, e njëkohsisht janë të fjalës së mbajtur.
E kam takuar disa herë, dhe, si ndodh me njerëz të veçantë, gjithmonë kam pasur dëshirën të qëndroj rishtas me të, ashtu si me veten, sepse ishte Njeriu që të bënte vend dhe të cilit do i bëje vend për vetë natyrën e tij burrërore, për sinqeritetin që të mbërthente, për dëshirën e mirë drejt mbarësisë dhe për heshtjen që e rrethonte.
Sytë e tij ishin të veçantë. Mund të përballoje shikimin e tij, vetëm nëse do të ishte krejtësisht i sinqertë. Kishte tipare të veçanta që të kujtonin shumë nga burrat e njohur të Drenicës, por edhe të veçantën që të mrekullonte kur sytë i lëshonin ata shkëndijat e luftëtarit të lirisë. I prerë, të dukej sikur përmes një palë syve të vështronin njëqind të tillë. Besues deri në fund ndaj shokëve, i lidhur që në rrënjët e genit të tij me Jasharët, luftëtar i vemendshëm dhe njeriu që politikën e përceptonte si ndihmëse të lirisë, ai ishte drnicaku që e donte gjithë Kosovën njëlloj si vendlindjen e tij.
Lëvizja çlirimtare do të ishte e mangët pa emërin dhe luftën e Ilaz Kodrës. Jo vetëm se ai ishte njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sepse ishte ndër ata gurëthemeli që mbanin mbi vete barrën e rëndë të një lufte që kësaj here do të ishte përfundimtare: ose Kosova do të mbetej një krahinë e izoluar, e sllavëruar, ose ajo do të ishte përfundimisht e lië.
Vetëm burra të veçantë mund të bartin mbi vete misione kaq të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Vetëm vizionarë mund të dijnë se cili është qëllimi final i luftës së tyre, kur ende janë në krismat e para.
Ilazit i takoi të ishte në krismat e para, qëndroi deri në krismat e fundit.
E filloi luftën çlirimtare me një pakicë shokësh, kur askush nuk mund ta përceptonte se ka ende burra në Kosovë që kanë guximin t ia kthejnë pushkën serbit dhe iku nga ne kur ishte i bindur se liria tashti po vinte.
Mes nisjes së parë dhe ditës së 30 prillit qëndron një burrë fisnik, i përmbushur me të gjitha vetitë njerëzore; që donte Prekazin si sytë, që ishte i gatshëm për Kosovën të sakrifikohej dhe që kishte emër të parë në jetën e tij, dheun amë, Shqipërinë.
Unë ë tillë e kam njohur, të tillë e mbaj në mend dhe të tillë e mban mend Kosova.
Atë ditë të 30 prillit 1999 ai e kishte pritur, sepse ishte nisur të sdakrifikohej për këtë ngjarje madhore. Ishte nisur me vetdije.
Nuk ishte plaga e parë; njëra nga plagët ishte asaj dite maji të vitit 1997, kur sëbashku me një grusht burrash, mes tyre një sokoleshë si Xheva, u nisën drejt Adem Jasharit dhe zonave të reja të luftës.
Emrat e tyre sot janë të gjithë në historinë e Kosovës. Aty u vra Luan Haradinaj, prijësi i logjistikës, u plagos rëndë Rafet Rama, u plagosën edhe Ilazi e Fehmiu.
Nga ai grup qwë u nisën asaj dite maji 1997 pesë prej tyre janë Heroj të Kosovës dhe Heronj të Kombit:Luani, Fehmiu, Xheva, Ilazi, Abedini, tetë prej tyre morën gradën e lartë të gjeneralit të luftës; njëri prej tyre, Ramushi sot është kryeministër.
I përmenda të gjithë këto për të dëshmuar se Ilaz Kodra ishte i një lartësie me burra të tillë dhe si i tillë ai mori përsipër drejtimin e Brigadës së 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas 22 shtatorit 1998, ditën kur u vra Fehmiu dhe Xheva.
Është njeriu që shpalosi Flamurin e Brigadës dhe u betua para tij se do të vazhdojë deri në fund luftën. E bëri këtë heroikisht.
Për herë të fundit kam biseduar me të në mesin e prillit të vitit 1999.
Ishte kulmi i ofensivës serbe mbi Drenicë dhe fillimisht me telefonoi baca Rifat. Më tha se kishte folur me Drenicën dhe punët i kishin pisk. Më tha se shokët po luftojnë me rezervat e fundit.
Bisedova me Ilazin.
Më tha shkurt se “ nuk kishin asnjë kokërr kallamoqi” dhe kushdo e di se për çfarë e kishte fjalën. Ishte luftë, ofensivë, njerëzit duheshin mbrojtur.
I thashë se do të ndryshojë gjendja.
Më tha në fund, “ Pashë besën, baca Bedri, mos u dorëzo, qëndro deri në fund”!
I thashë besën, i thashë se do të takohemi përsëri, por nuk u takuam.
Biseda e fundit me të ishte regjistruar nga struktura të tjera. Është më e gjatë se kaq. Kur mbaroi lufta dhe më dorëzuan inçizimet që ishin bërë, fillimisht me rdhi keq, por tani ndjehem disi ndryshe, për faktin se edhe ato janë një dëshmi se si kanë qëndruar njerëzit që e donin vendin e tyre, si qëndroi Ilazi.
Bisedova me Ramiz Lladrovcin dhe ai organizoi marramendshëm shpejt dërgimin e ndihmave drejt Drenicës.
Nuk u pamë më me njëri tjetrin. Nuk biseduam më. Në darkën e vonë të 30 prillit më telefoi Ramizi dhe një ditë pas, Kushtrin Hadergjonaj. Ilazi nuk ishte më. Përkohsisht nuk ishte më.
Sepse do të rikthehej në bust, do të vendosej në Muzeun me emërin e tij, do të vazhdojë jetën tek bijat e tij.
Asaj dite, kur u bë përurimi i Shtatores së Ilazit dhe Shtëpisë Muze, i ftuar nga Familja e tij, kisha nderin të mbaj fjalën e rastit.
Asaj dite kemi edhe një fotografi, të cilën miku im i mënçur, Halil Selimi, e ka quajtur një foto për muze.
Jemi bashkë : Hashim Thaçi, Rifat Jashari, Ali Ahmeti, Jakup Krasniqi, Daut Haradinaj, unë…..
Kjo ndodhi sepse, edhe i rënë në luftë, Ilaz Kodra i bashkonte njerëzit!
Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e përhershme e Maltës në OKB, ambasadorja Vannesa Fraizer,…