Princesha e Uellsit thotë se më s’ka shenja të kancerit

15 janar 2025 | 13:54

Princesha e Uellsit, Catherine, ka zbuluar se më nuk ka shenja të kancerit në trup.

Këtë e ka treguar pasi ka vizituar pacientët e spitalit ku u trajtua vet.

Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, Kate Middleton ka shprehur “lehtësim” që po ndien dhe ka thënë se mbetet ende e “përqendruar në shërim”.

“Siç e dinë ata që kanë përjetuar diagnozën e  kancerit, do shumë kohë për t’u përshtatur me normalitetin e ri. Megjithatë, jam e gatshme për një vit të plotë përpara”, ka shkruar Kate.

Gjatë një vizite në Spitalin “Royal Marsden” në Londrën Perëndimore, princesha falënderoi stafin dhe tha se e ndjeu veten të afërt me pacientët me kancer, duke folur për “trajtime të vështira”, por duke i siguruar se ka “dritë në fund të tunelit”.

Kjo është hera e parë që është konfirmuar se princesha nuk ka më shenja të kancerit.

Ajo pati njoftuar për diagnozën e saj në muajin mars të vitit të kaluar dhe në shtator ka thënë se e ka përfunduar kimoterapinë, duke shtuar se është “duke bërë gjithçka që mundet për të qëndruar pa kancer”.

Sipas Cancer Research UK, fjala “lehtësim” do të thotë që pas trajtimit nuk ka shenja të kancerit. Organizata thotë se disa kancere mund të kthehen, prandaj mjekët përdorin fjalën këtë fjalë dhe jo “shërim”.

Në mesazhin e saj, princesha ka falënderuar spitalin “Royal Marsden” për kujdesin që i kanë dhënë.

“Faleminderit të gjithëve që kanë qenë në heshtje pranë Williamit dhe meje gjatë gjithë kësaj periudhe. Nuk mund të kishim kërkuar më shumë”, ka thënë tutje Kate.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka…