Princi Harry dhe Meghan flasin për përçarjen mbretërore
Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan, kanë folur në një intervistë tejet personale për diskutimet brenda familjes mbretërore britanike për ngjyrën e lëkurës së djalit të tyre, humbjen e mbrojtjes mbretërore dhe vështirësitë tjera që, sipas Dukeshës së Sussexit, kanë ndikuar që ajo të mendojë për dhënie fund të jetës.
Intervista me Oprah Winfreyn, e transmetuar më 7 mars në Shtetet e Bashkuara, një ditë para transmetimit në Britani, ka qenë e para prej kur çifti ka hequr dorë nga detyrat mbretërore.
Harry, i cili është i gjashti në linjë për fronin britanik, ka thënë se është ndjerë i bllokuar nga jeta mbretërore dhe ka folur për befasinë kur i janë ndalur financat dhe siguria vitin e kaluar nga familja mbretërore.
Meghan e ka përshkruar momentin kur ka qenë për herë të parë shtatzënë me djalin e saj Archie, dhe kur Harry është pyetur nga një anëtar i familjes mbretërore “sa e errët” do të mund të jetë ngjyra e djalit të tyre.
Harry e ka pranuar se nuk ka lidhje të ngushta me vëllain e tij William, i cili është në rend për marrjen të fronit pas babit të tij, princit Charles.
Ai ka thënë se ka ndjerë se familja e tij nuk e ka mbështetur Meghanin.
Winfrey në një moment ka pyetur Meghanin për ndikimin e kësaj situate në shëndetin e saj mendor dhe presionin që ka pasur.
Ajo është përgjigjur se ka pasur mendime për vetëvrasje dhe ka kërkuar ndihmë përmes departamentit të pallatit për burime njerëzore, mirëpo i kanë thënë se nuk mund të bëjnë asgjë.
Në moment pozitiv i intervistës ka qenë kur Harry dhe Meghan kanë treguar se fëmija i tyre i dytë do të jetë vajzë.
Winfrey ka dhënë shenja se e gjithë intervista nuk është transmetuar dhe se pjesë të saj do të mund të publikohen të hënën në mëngjes në televizionin “CBS”.