Princi Harry dhe Meghan Markle i bashkohen familjes mbretërore për të marrë arkivolin e Mbretëreshës në pallat

14 shtator 2022 | 16:30

Princi Harry dhe Meghan Markle iu bashkuan pjesës tjetër të familjes mbretërore për të përshëndetur arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth II në Pallatin Buckingham në Londër të martën (13 shtator).

Cifti i Sussex-it ishin me Princin William dhe Kate Middleton, si dhe me mbretin Charles III dhe bashkëshorten e mbretit Camilla, ndërsa trupi i Mbretëreshës mbërriti nga Skocia, transmeton Page Six.

Arkivoli i Mbretëreshës u transportua në Pallatin Buckingham në një makinë, ndërsa turma njerëzish u mblodhën jashtë territorit të pallatit për të parë autokolonën dhe për të vajtuar humbjen e monarkut më jetëgjatë të Britanisë.

Gjatë fundjavës, Markle dhe Harry u ribashkuan me Princin dhe Princeshën e Uellsit për t’i bërë homazhe Mbretëreshës jashtë Kështjellës Windsor.

Takimi shënoi herën e parë që ata u shfaqën publikisht me William dhe Kate që nga marsi i vitit 2020, kur ata u fotografuan së bashku për Ditën e Commonwealth.

Një burim i tha Page Six se William i kishte bërë një ftesë vëllait dhe gruas së tij për të iu bashkangjitur.

“Ne të gjithë jemi shumë mirënjohës – të dyja palët i lanë mënjanë të gjitha gjërat për Mbretëreshën”, kishte thënë një burim i familjes mbretërore.

Javën e kaluar, Harry kishte nxituar të ishte pranë Mbretëreshës pasi familja njoftoi se shëndeti i saj u përkeqësua. Megjithatë, ai nuk ia doli në kohë dhe mbërriti disa orë pasi ajo vdiq.

Duka i Sussex-it kishte udhëtuar nga Gjermania në Skoci për të provuar të shihte gjyshen e tij pa Markle. Në vend të kësaj, ajo mbeti në Londër.

Një ekspert mbretëror pohoi se Markle qëndroi pas sepse kishte frikë se nuk do të mirëpritej nga familja mes tensioneve.

Familjarët Sussex, të cilët lanë detyrat e tyre mbretërore dhe u transferuan në Kaliforni në vitin 2020, ishin të dy në Gjermani kur u publikuan lajmet për shëndetin e Mbretëreshës.

Kate Middleton kishte qëndruar gjithashtu në Angli për të qenë me fëmijët e saj dhe të William – Princit George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis – për ditën e tyre të parë të shkollës.

Markle dhe Harry e panë për herë të fundit Mbretëreshën kur ishin në qytet duke festuar jubileun e saj Platinum në qershor.

Gjatë vizitës së tyre, Mbretëresha u takua me vajzën e tyre 1-vjeçare, Lilibet, dhe kaloi kohë me djalin e tyre 3-vjeçar, Archie.

Harry ndau një deklaratë emocionale për vdekjen e gjyshes së tij në fillim të kësaj jave.

“Gjyshe, ndërsa kjo ndarje përfundimtare na sjell një pikëllim të madh, unë jam përgjithmonë mirënjohës për të gjitha takimet tona të para – që nga kujtimet e mia të hershme të fëmijërisë me ty, tek takimi me ty për herë të parë si komandanti im i përgjithshëm, deri në momentin e parë që ti takove gruan time të dashur dhe përqafove stërnipërit e tu të dashur”, tha Harry.

“I vlerësoj këto kohë që kalova me ju dhe shumë momente të tjera të veçanta. Tashmë po na mungoni shumë”, u shpreh Princi.

Mbretëresha vdiq më 8 shtator në moshën 96-vjeçare dhe qëndroi në fron për 70 vjet.

Funerali i saj shtetëror do të bëhet në Westminster Abbey të hënën, më 19 shtator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollistit të Bayern Munchen, Thomas Muller, i zgjati shkurt gëzim…