Princi saudit: Vrasja e gazetarit Khashoggi, përgjegjësi e imja
Princi i Arabisë Saudite, Muhammed Bin Salman ka marrë përsipër përgjegjësinë në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Ngjarja ndodhi vitin e kaluar brenda Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll të Turqisë.
“Kjo ngjarje është kryer nën përgjegjësinë time. Unë e marr përsipër të gjithë përgjegjësinë”, ka deklaruar Muhammed Bin Salman për producentin e programit të lajmeve “Frontline” gazetarin Martin Smith.
Bin Salman i është përgjigjur për herë të parë pyetjeve lidhur me vrasjen e Khashoggit, dokumentar që do të publikohet më 1 tetor, raporton ‘Anadolu Agency’.
Ndërsa në pyetjen “Si mund të ndodhë një gjë e tillë pa dijeninë tuaj?”, Smith shpjegon se Bin Salman është përgjigjur: “Në Arabinë Saudite jetojnë 20 milionë njerëz. Ka 3 milionë punonjës shtetëror”.
Po ashtu në pyetjen e Smith se “A mund të marrin ata një prej avionëve tuaj?” thuhet se Bin Salman është përgjigjur: “Ka punonjës, ka ministra që ndjekin punët e mia. Kjo është përgjegjësi e atyre. Ata kanë autoritetin ta bëjnë këtë”.
Në një raport prej 101 faqesh të publikuar në qershor nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Arabia Saudite u akuzua si përgjegjëse për vrasje me dashje dhe paramendim të Jamal Khashoggit.
Po ashtu në raport u theksua se ka prova të besueshme për hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, përfshirë edhe princin e Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman./tch/