Prindërit protestojnë në oborrin e shkollës “Faik Konica”, kërkojnë fillimin e mësimit
“Nxënësit nuk janë vlerë monetare” dhe “Po duam të kthehemi në shkollë”. Këto kanë qenë disa nga thirrjet e nxënësve të shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.
Prindër dhe fëmijë të hënën kanë protestuar për hapjen e shkollave dhe ndërprerjen e grevave. Të dy palët kanë thënë se po janë duke u dëmtuar nga kjo gjendje, kështu edhe kanë kërkuar që urgjentisht të fillojë mësimi.
Riga Sheholli, e cila këtë vit është gjysmë-maturante ka thënë se kjo situatë po ua vështirëson mësimin. Ajo ka treguar se kanë marrë librat, por që në shtëpi e kanë pothuajse të pamundur të mësojnë vet.
“Për ne është shumë e vështirë, për nxënësit e klasës së nëntë, sidomos që nuk ka filluar ende procesi mësimor. Kemi humbur shumë, gjithashtu vullneti i nxënësve ka ra shumë poshtë. Ne para një jave kemi marrë librat edhe nuk është e njëjtë sikur t’i hapim librat në shtëpi, si në bankat shkollore”, ka thënë ajo për “Kosovapress”.
Ndërsa anëtarja e Këshillit të Prindërve në shkollën “Faik Konica”, Fatbardha Sheholli, e cila ka dy fëmijët në këtë shkollë ka bërë thirrje që menjëherë të fillojë mësimi.
Në anën tjetër, Valentina Demolli nga KMDLNj-ja ka thënë se palët duhet të ulen dhe të diskutojnë për zgjidhje, meqë humbjet janë të mëdha.
Që nga 25 gushiti është shpallur greva nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sindikalistët po kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre prej 50 eurove nga shtatori dhe me rritje të pagës prej 10.45 për qind deri në dhjetor.