Prioriteti im, reformimi i shëndetësisë
Dr. Qamile Morina, anesteziologe, në zgjedhjet e 6 tetorit është kandidate për deputete e koalicionit AAK-PSD dhe mban numrin 78.
Ajo ka qenë deputete e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe ka dhënë kontribut si anesteziologe në luftën çlirimtare të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Morina ka thënë se është bërë pjesë e AAK-së dhe vizitonit të liderit Ramush Haradinaj për të dhënë kontribut në lëmin e shëndetësisë. Morina ka theksuar se prioritet i saj do të jetë reforma në shëndetësi.
“Duhet të ndodhë një konsensus kombëtar për ta reformuar shëndetësinë. Shëndetësia nuk njeh pozitë-opozitë”, ka Morina.
“Epoka e re”: Znj. Morina, pse keni vendosur t’i hyni garës për deputete në zgjedhjet e 6 tetorit dhe pse e zgjodhët AAK-në?
Morina: Për herë të parë që jam inkuadruar në ndonjë subjekt politik ka qenë Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) në vitin 2006 e në vitin 2007 jam zgjedhur deputete. Kam mbetur besnike e LDD-së deri kur është vendosur që të shuhet si subjekt politik. Pas kësaj më nuk kam qenë aktive në jetën politike, por vendosa t’i përkushtohem shëndetësisë. Kësaj radhe, sidomos në muajt e fundit, duke parë se në çfarë udhëkryqi ndodhet Kosova dhe mënyra se si z. Haradinaj me vendosmëri insistoi kundër ndarjes së Kosovës, ishte arsyeja që më ka bërë të inkuadrohem në jetën politike dhe, prej të gjitha partive, zgjodha AAK-në.
Unë jam lindur dhe jam rritur në Mitrovicë dhe do të jem pjesë e atij projekti që është kundër ndarjes. Nëse ju e harroni vendlindjen, i humbisni themelet e juaja, të atij vendi që ka ndikuar në krijimin tuaj si personalitet. Prandaj Mitrovicën e konsideroj pjesë të rëndësishme të jetës sime. Z. Haradinaj është një njeri që duhet t’i besohet. Pra, kam fituar bindje se ai është një person që, nëse gjërat di t’ia prezantosh, ai të jep shtytje. Kjo më bën të shpresoj se z. Haradinaj ka mundësi që zhvillimin e shëndetësisë ta shtyjë përpara.
“Epoka e re”: A mund të jetë i vonshëm inkuadrimi juaj në politikë kur dihet se për t’i hyrë garës për deputete duhet pak angazhim?
Morina: Ndoshta është i vonshëm për fitimin e besimit të popullatës në këto zgjedhje për arsye se nuk kam pasur mundësi të jem më herët pjesë aktive e strukturave të AAK-së. Për opinionin nuk jam person i panjohur, sepse jam anesteziologe, kam qenë deputete në periudhën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, pra jam nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë, gjithashtu kam dhënë kontribut në luftën çlirimtare si anesteziologe me shumë kolegë të mi. Më herët, kur isha deputete, kam qenë shumë aktive në lëmin e shëndetësisë, duke mos përjashtuar edhe temat që kishin të bëjnë me Mitrovicën, pjesën e veriut. Si deputete e LDD-së në atë kohë angazhimi im ka qenë në të gjitha temat për vendin.
“Epoka e re”: Çfarë opinioni keni për shëndetësinë në vend.
Morina: Shëndetësia është në nivel jo të mirë. Ka papërgjegjshmëri ndaj kërkesave të sëmurëve tanë. Shëndetësia realisht që 19 vjet nuk ka një organizim bashkëkohor, nuk kemi një menaxhment bashkëkohor. Kur kam qenë deputete buxheti është rritur për 80 milionë për shëndetësinë, tash buxheti është 200 milionë euro. Por, a mund të na tregojë dikush diferencën duke e pasur parasysh se tashmë dyfish është rritur buxheti?! Në ngritjen e buxhetit ka mjaft irracionalitet se si është shpenzuar buxheti. Për këtë arsye qytetari i Kosovës nuk i ndien lëvizjet që bëhen në shëndetësi. Ne duhet të kemi kohezion me sektorët qendrorë dhe primarë. Duhet ta mbrojmë pacientin prej harxhimeve për trajtimin mjekësor. Mendoj se profesionalizmi nuk është në nivelin që duhet të jetë. Kjo ka të bëjë edhe me moslidhshmërinë e Fakultetit të Mjekësisë me Qendrën Klinike Universitare. Gjithkund në botë këto dy institucione duhet të jenë kohezive. Duhet të ndodhë një konsensus kombëtar për ta reformuar shëndetësinë, përndryshe nuk ka mundësi që të reformohet ky sektor. Opozitarizmi nuk duhet të jetë në shëndetësi. Shëndetësia nuk njeh pozitë-opozitë. Të gjithë jemi pacientë dhe të gjithë herët a vonë duhet të kalojmë nëpër këtë sistem shëndetësor.
“Epoka e re”: Ju jeni edhe anesteziologia e parë femër shqiptare dhe përmendet edhe angazhimin tuaj edhe gjatë luftës së UÇK-së. A mjaftojnë këto veprime tuaja që qytetarët t’ju votojnë?
Morina: Po, jam anesteziologia e parë shqiptare në Kirurgji. Në vitin 1998 jemi angazhuar anesteziologë dhe kirurgë me rastin e plagosjes së të ndjerit Mujë Krasniqit – “Kapuçit”, ku është operuar në Likovc. Arsyeja pse unë duhet ta marr besimin e qytetarëve për deputete është se kam një përvojë jashtëzakonisht të madhe në lëmin e shëndetësisë, kam përvojë ndërkombëtare duke qenë në struktura më të rëndësishme evropiane të shëndetësisë. Besoj se kam kapacitet të mjaftueshëm për t’i lëvizur për të mirë gjërat në shëndetësi. Gjithmonë angazhimi im dhe i kolegëve ka qenë dhe është zhvillimi i anesteziologjisë. Sot anesteziologjia numëron 120 deri në 130 anesteziologë. Në kemi arritur të jemi anëtarë të Shoqatës Evropiane të Anesteziologëve. Kemi arritur të jemi anëtarë të Shoqatës Botërore të Anesteziologëve. Kemi qenë përfaqësues në trupat më të lartë të Bordit të Anesteziologëve, fillimisht isha unë dhe tash kemi përfaqësues të tjerë në këtë trup. Ne kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe sepse kemi arritur ta zhvillojmë anesteziologjinë për t’i përcjellë trendët bashkëkohorë. Gjithashtu, kemi ndihmuar shumë në edukimin e stafit tonë, i cili, edhe kur po del jashtë, po respektohet. Kemi mjekimin intensiv, ndoshta më modernin në rajon! Në vitin 2007 me Bordin e Anesteziologëve të Evropës kemi filluar ta hapim qendrën për edukimin e vazhdueshëm të Evropës i cili mban kurse çdo vit, që nga viti 2008. Pra, këto janë disa prej punëve të miat që i kam bërë për shëndetësinë e vendit tim. Besoj se është një prezantim i shkurtër ky, por i mjaftueshëm që qytetarët të më votojnë.
“Epoka e re”: Pavarësisht zgjedheni a nuk zgjedhkeni deputete, a do ta vazhdoni aktivitetin politik në AAK pas 6 tetorit?
Morina: Angazhimi im politik do të vazhdojë në AAK. Unë jam person i atillë që, kur diçka nuk më pëlqen, e them aty ku jam. Në dy raste, kur subjekti LDD ka kërkuar që ne si deputetë të votojmë, unë kam votuar kundër demarkacionit me Maqedoninë. Edhe në rastin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam abstenuar, sepse nuk kam dashur që një votim i tillë të bëhet me aklamacion, sepse m’i kujtonte sistemet e mëhershme. Të jemi të qartë për opinion, unë nuk kam qenë kundër miratimit të Kushtetutës, por mënyra e votimit me aklamacion ka qenë një reagim imi abstenues që nuk më ka pëlqyer. Pra, deputeti duhet ta ketë bindjen e vet, të veprojë ashtu si mendon vetë.
“Epoka e re”: Pritjet tuaja për koalicionin AAK-PSD më 6 tetor?
Morina: Derisa nuk isha pjesë e AAK-së kam pasur një simpati për PSD-në sepse vendit i duhet një frymë e konstruktivitetit. Ne duhet të largohemi prej logjikës së kundërshtimit. Me këtë logjikë nuk fitojnë qytetarët tanë. Mënyra se si PSD-ja është munduar që t’i bëjë disa gjëra duke qenë opozitë, në shumë vendime të mëdha për vendin e ka ndihmuar qeverinë. PSD-ja ka bërë veprim konstruktiv për vendin. Po dua të them se një bashkëpunim i tillë i dy partive, njërës në pushtet e tjetrës në opozitë, ka treguar konstruktivitet. Edhe tani me qëndrimin e z. Haradinaj që ka si lider dhe me PSD-në do të jetë një kombinim jashtëzakonisht i mirë për qytetarët më 6 tetor. Mendoj se koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit do të dalë me një rezultat të mirë. Kjo është një prej garave më të mira të pasluftës sepse të katër subjektet politike pritet të kenë një garë të afërt mes vete. Këto zgjedhje do të bëjnë një garë shumë interesante sepse askush me siguri të plotë nuk mund të thotë se janë fitues. Dallimi ndërmjet këtyre katër subjekteve do të jetë i vogël.
“Epoka e re”: Po pritjet tuaja si kandidate për deputete?
Morina: Të jem e sinqertë, nuk kam pritje të mëdha sa i përket garës për deputete, sepse nuk kam qenë pjesë e AAK-së gjatë, pasi strukturat e saj nuk më njohin sa duhet. Por, qëllimi im ka qenë të jap kontribut në rritjen e votës së AAK-së. Megjithatë, mbes me shpresë se do të marr përkrahje nga qytetarët më 6 tetor!