Prishja e trafove private, shkak i ndaljes së energjisë elektrike në “Mati 1”
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS) ka njoftuar se dje, rreth orës 13:30 është paraqitur një prishje në një trafo private në lagjen “Mati 1” të Prishtinës.
Sipas KEDS-it, kjo prishje ka pasur efekt zinxhiror, e cila si pasojë i ka lënë pa energji elektrike pasditen e vonë të së hënës edhe disa trafo tjera, po ashtu private.
“Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë arritur ta sanojnë pjesën më të madhe të kësaj prishjeje vetëm rreth orës 1:00 pas mesnate. Por, dy trafo të tjera ka qenë e pamundur të kyçen, pasi prishja ishte më e komplikuar dhe mori kohë. Ajo prishje është evituar sot rreth mesditës”, është thënë në komunikatën e KEDS-it.
KEDS-i ka njoftuar se deri tek këto prishje ka ardhur nga mbingarkesa e këtyre trafove si pasojë e ngrohjes me energji elektrike nga të gjithë konsumatorët në atë pjesë.
“Këto trafo private, siç u cek më lartë nuk janë të dedikuara për një kapacitet kaq të lartë të konsumit. Në këtë situatë, KEDS-i apelon tek konsumatorët në atë pjesë që të përdorin forma alternative të ngrohjes aty ku kanë mundësi, pasi asetet energjetike të vendosura nga investitorët privatë nuk janë të dizajnuara ta përballojnë ngrohjen dhe sasinë enorme të energjisë elektrike që kërkohet për tu përdorur për ngrohje”, është theksuar më tutje në komunikatën e KEDS-it.