Prishtina 01 dhe Liqeni gati për spektakël në finale të ‘play-off’-it

30 maj 2023 | 22:31

FC Prishtina 01 dhe FC Liqeni do të luajnë në finale të serisë së “play-off”-it në Superligën e Kosovës në futsall. Komisioni i Futsallit tashmë ka vendosur datat për tri ndeshjet eventuale të kësaj serie, e cila luhet në dy fitore. Ndeshja e parë do të luhet më 2 qershor në kryeqytet. Më pas skuadrat finaliste do të luajnë në Drenas, më 6 qershor dhe në rast se asnjëra skuadër nuk i realizon dy fitore në ndeshjet e para, atëherë do të zhvillohet edhe ndeshja e tretë në kryeqytet, më 11 qershor, e ku do të përcaktohet skuadra kampione.

Të tri këto ndeshje do të transmetohen drejtpërdrejt nga kanalet sportive të Artmotion. Në prag të serisë finale, Komisioni i Futsallit e ka organizuar një konferencë për media, ku kanë folur përfaqësuesit e të dyja klubeve. Fillimisht në emër të këtij komisioni ka folur Agim Avdyli, i cili e ka vlerësuar edicionin e sivjetmë si shumë të mirë dhe me shikueshmëri të lartë.

Presidenti i FC Prishtina, Bledion Bryma, ka thënë se për klubin e tij ky ka qenë viti më i suksesshëm që nga themelimi para katër vjetësh. “Këtë vit e kemi fituar Kupën e Kosovës për herë të dytë, derisa jemi finalist të ‘play-off’-it për herë të parë. Kjo ka qenë ëndërr e jona të jemi këtu. Si klub kemi pasur nivelin e duhur dhe gjatë këtyre katër viteve kemi punuar shumë, por ky është viti më i mirë. Do të mundohemi të japim maksimumin që ta shpallemi kampion për herë të parë në histori të klubit”, ka theksuar Bryma.

Ndërkaq, përfaqësuesi i FC Liqenit, Arianit Krasniqi, ka thënë se ndonëse klub i ri janë për të tretin vit radhazi në finalen e “play-off”-it. Kjo ka qenë meritë e punës brenda klubit që është bërë. Kemi vazhduar ngjashëm sikurse sezonin e kaluar me përforcime, ku e kemi parë të nevojshme në ato pika. Fati e deshi që në finale të jemi bashkë me FC Prishtina 01, një finale plotësisht e merituar dhe një finale ideale. Finalet e ‘play-off’-it kanë menaxhim ndryshe dhe besoj që ka me qenë një garë shumë e fortë. Jemi dy klube që kemi lojtarë të kombëtares në radhët tona dhe pa dyshim do të jetë një seri finale e fortë”, ka thënë Krasniqi.

Ndeshja e parë finale zhvillohet, të premten, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në orën 20:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – partia më e…