Prishtina – Ballkani, finale para finales në Kupën e Kosovës
Sot do të zhvillohen ndeshjet e fazës çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Pa dyshim, vëmendja e të gjithëve do të jetë në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, atje ku Prishtina, si nikoqire, do ta presë Ballkanin. Kjo njëherësh konsiderohet si një finale para finales, duke e pasur parasysh fuqinë dhe namin e këtyre dy ekipeve.
Natyrisht, prishtinasit, edhe pse pa trajnerin Ismet Munishi, do të jenë më të motivuar në këtë takim pasi përmes Kupës e shohin më të lehtë daljen në Evropë, duke e pasur parasysh se në kampionat kanë mbetur prapa.
Megjithatë, Ballkani, edhe pse është në garë për titull, do të mundohet ta fitojë edhe Kupën e Kosovës, një trofe mjaft prestigjioz. Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë edhe ajo mes Llapit, fitues aktual i kësaj gare, dhe Malishevës, që do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës.
E në stadiumin “Riza Lushta” do të zhvillohet përballja tjetër mes skuadrave nga Superliga, ajo ndërmjet Trepçës ’89 dhe Gjilanit.
Skuadra nga Liga e Parë, Vushtrria, në stadiumin “Ferki Aliu” do të takohet me Beharin, skuadrën nga Liga e Dytë. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen nga ora 13:00.
Çerekfinalja e Kupës
E mërkurë
Prishtina – Ballkani
Llapi – Malisheva
Trepça ’89 – Gjilani
Vushtrria – Behari