Prishtina, Bashkimi e Peja tregojnë qëndrimet e tyre për ligën mbarëkombëtare

08 maj 2020 | 20:27

Koronavirusi tashmë e dy muaj ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë. Ndërsa, Federata e Basktebollit e Kosovës është bërë e para që ka anuluar kampionatin.

Gjatë kësaj kohe është duke u diskutuar ideja për krijimin e një lige mbarëkombëtare shqiptare. Shkëlzen Fetiu, kryetar i klubit KB Prishtina, është shprehur optimist për idenë e ligës mbarëkombëtare, duke theksuar se do i rritë investimet në basketboll.

“Prishtina edhe në të kaluarën ka qenë PRO-ligës së përbashkët me Shqipërinë. Unë mendoj që kjo ka me i rritë investimet në basketboll dhe sigurisht kjo është pozitive. Konkurrenca ka me qenë më e madhe, besoj që është ide e mirë dhe ja vlen që të provohet”, theksoi Fetiu.

Tutje, Artan Kurti, nga klubi i KB Bashkimit, foli për ligën mbarëkombëtare me Shqipërinë, duke u shprehur pozitivisht për një ide të tillë.

”Edhe pse nuk e di, si do të duket kjo ligë fillimisht dhe sistemi garues. Besoj që kishte me qenë e kapshme për klubet kosovare. Ne në parim e mbështesim, është ide e mirë. Por prioritet i ynë është të dalim nga kjo Pandemi, më pas do të shohim edhe ne si klub, ambiciet tona për sezonin e ardhshme”, tha drejtori sportiv i klubit prizrenas, Artan Kurti për AsistiOnline.

Në fund, menaxheri i skuadrës së Pejës, Adriatik Rraci tha se klubi i tij e përkrah këtë ide, por sipas tij kampionati vendor nuk duhet të lihet mbrapa pasi që është shumë i rëndësishëm.

“Mendoj që është lëvizje e duhur prej të dyja Federatave, besoj që çdo klub kosovar apo nga Shqipëria është përkrahës i fuqishëm i kësaj ideje. Shpresojmë që të kontribuoj në zhvillim e basketbollit në përgjithësi. Akoma nuk dihet formati i saktë i kësaj lige, se nga sa ekipe do të nominohen nga Federatat respektive si dhe kalendari i garave sepse nuk duhet të lihen mbrapa kampionatet lokale si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, poashtu shpresojmë që të gjitha ekipet pjesëmarrëse të kenë kualitete të larta ekipore, çka do ta bënte këtë kampionat shumë më interesant dhe të paparashikuar, sidomos në qoftë se ekipet kosovare nuk do të paraqiten në ndonjë garë evropiane sezonin e ardhshëm. Mendoj se do ta bënte shumë më interesant ky lloj i ligës sepse e dimë shumë mirë që ndonjëherë kampionati lokal di të jetë shumë monoton, posaçërisht nëse klubet e Kosovës nuk arrijnë të marrin veten dhe të krijojnë buxhet stabil pas kësaj krize nga virusi corona. Shpresojmë që kjo ide të bëhet realitet dhe ti masim forcat edhe me ekipet nga Superliga Shqiptare”, ka thënë Rraci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi i gjithë stafi dhe futbollistët e Barcelonës rezultuan negativ…