Prishtina bën gati planin për vlerësimin e rrezikshmërisë
Prishtina është në fazën e fundit të hartimit të planit për vlerësimin e rrezikshmërisë që i kanoset kryeqytetit nga fatkeqësitë natyrore e deri të ndonjë sulm i mundshëm.
Përmes këtij plani do të identifikohen edhe kapacitetet që ka Prishtina për të reaguar në situata të jashtëzakonshme. Kjo u konfirmua nga drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.
“Është obligim ligjor, ne jemi duke përgatitur planin për vlerësimin e rrezikshmërisë ku do të identifikohen të gjitha rreziqet qe i kanosen kryeqytetit, pra nga vërshimet, nga zjarret, nga rrëshqitja e dheut, nga tërmetet, nga erërat e forta por edhe nga sulmet terroriste apo sulmet e tjera apo fatkeqësitë që mund të shkaktohen nga dora e njeriut” , u shpreh Lulzim Fushtica.
Plani pritet të parashikojë edhe masat adekuate që duhet ndërmarrë në rast se rrezikohet infrastruktura kritike.
“Duke pasur parasysh se kryeqyteti është edhe shtëpi edhe e një pjese të madhe të infrastrukturës kritike që e ka Republika e Kosovës, këtu hyn edhe qeveria, parlamenti, institucionet kyçe financiare bankare, është ujësjellësi, janë liqeni i Batllavës dhe i Badocit të gjitha këto janë infrastrukturë kritike që në rast të ndonjë fatkeqësie mund të paraqesin rrezik dhe mund të them se mund të paralizojnë jetën e qytetarëve”, shton Fushtica.
Prishtina bën testimin e alarmit publik çdo 6 muaj ndërsa parashihet që shpejtë te simulohet edhe një evakuim ku do të përfshihen edhe institucionet e tjera dhe qytetarët.
“Kemi në plan edhe me institucione të tjera që të bëjmë një ushtrim apo simulim me të gjerë, në mënyrë që të shohim kapacitetet jo vetëm të kryeqytetit por edhe të institucioneve të tjera”, përfundoi Fushtica.
Së fundmi, Drejtoria për Siguri e Prishtinës ka shtuar edhe numrin e kamerave në qytetet për të garantuar më shumë siguri për qytetarët.