Prishtina bën gati pushimoren për pensionistët e saj në Istog
70 mijë euro janë ndarë nga komuna e Prishtinës për rinovimin e hapësirave të pushimores për pensionistët prishtinas në Istog.
Kjo pushimore ndodhet në Banjë të Istogut dhe është pronë e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelinë Sahiti, thotë se kjo pushimore tashmë po merr formë.
“Pushimorja për pensionistët po merr formë tashmë. Vizituam nga afër zhvillimin e punimeve në renovimin e objektit i cili do të shërbejë si pushimore për pensionistët e Prishtinës.
Me përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës u dakorduam se në vazhdën e aktiviteteve e Qëndrimeve Ditore në Prishtinë do të zhvillojmë e pasurojmë edhe më shumë programin e projektet për të moshuarit”, ka thënë ajo.
Sahiti thotë se porsa të përfundojë renovimi do ta fillojnë inventarizimin e saj.
“Porsa të përfundojë renovimi do ta fillojmë inventarizimin e saj dhe kësisoj të jetë e gatshme për përdorim” ka shkruar Sahiti në “Facebook”.
Kujtojmë se kjo pushimore është jashtë funksionit që nga viti 2005, teksa shkak u bën kushtet jo të mira në të.
Më poshtë i gjeni disa pamje se si pritet të duket kjo pushimore pas rinovimit.