Prishtina dhe Ballkani ‘luftojnë’ për Kupë dhe për Evropë

29 korrik 2020 | 11:20

Sot në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohet finalja e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina dhe Ballkani janë dy skuadrat që e kërkojnë trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin e Kosovës, kurse fituesi i këtij trofeu e siguron pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.

Prishtina dhe Ballkani sot (e mërkurë) “luftojnë” për trofeun e Kupës dhe për daljen në Ligën e Evropës. Të dyja këto skuadra deri pak xhiro para fundit të kampionatit ishin në garën për titull, por dështuan përballë Dritës dhe Gjilanit që morën vendin e parë dhe të dytë. Për të shpëtuar këtyre skuadrave u duhet të triumfojnë në finalen e Kupës që zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 17:45.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, një ditë para kësaj finale është lutur që skuadrën e tij ta shpërblejë Zoti me atë që e ka merituar. “Finalja e parë për trofeun e parë. Inshallah Zoti na jep aq sa e kemi merituar. Ne jemi të gatshëm dhe jemi të fortë. Respekt gjithkujt, veresi askujt. Zoti e bekoftë futbollin! Zoti i bekoftë njerëzit e drejtë! FC Ballkani, forca ‘xhebrailat’! Forca Suharekë!”, ka shkruar Munishi në profilin e vet në “Facebook”. “Normalisht që presioni është më i madh te Prishtina. Kjo është një përparësi për ne. Do të jemi shumë më të qetë, jo më të relaksuar. Normalisht, tash nuk mund t’i zgjedhim problemet e Prishtinës. Ajo duhet t’i zgjedhë problemet në gjirin e vet. Ne sigurisht se do të synojmë t’i arrijmë objektivat tona”, ka shtuar Munishi.

Futbollistët e Prishtinës nuk kanë dashur të flasin para kësaj ndeshjeje për shkak se klubi nuk i lejon, por në faqen zyrtare kanë bërë një postim rreth finales. “Të mërkurën finalja e 10-të për trofeun e 7-të. Prishtina të mërkurën duhet ta fitojë Kupën e Kosovës, pasi që nëpërmjet kampionatit ishte shumë e dobët para kundërshtarëve shumë të fortë për të dalë në tri vendet e para. Andaj, në ‘Fadil Vokrri’, të mërkurën nga ora 17:45, Prishtina do të provojë edhe një herë të dëshmojë që mund t’ia dalë dhe nuk është vetëm skuadra e katërt me cilësi dhe ta sigurojë pjesëmarrjen e katërt rresht në Evropë. Me shumë lëndime e mungesa, djemtë bardhekaltër kanë besimin që mund ta fitojnë trofeun e çmuar të Kupës së Republikës”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.

(V.Z / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar bashkëluftëtarin e…