
Prishtina dhe Drita kualifikohen në gjysmëfinale
Prishtina dhe Drita janë dy skuadrat e radhës që e kanë kompletuar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina e mposhti rivalen e vjetër, Vëllaznimin me rezultat 0-4.
Në pjesën e parë golin e parë e shënoi Yakubu, kurse në pjesë e dytë kryeqytetasit ishin skuadër edhe më e mirë dhe në këtë mënyrë shënuan edhe tre gola të tjetër për rezultatin final 0-4.
Golat i shënuan Bytyqi, Raçi e Shillova, ndërsa kuqezinjve iu anulua goli i Osman Mëziut në pjesën e parë përmes sistemit VAR. Edhe Drita ka shënuar fitore bindëse në përballje me Prishtinën e Re (0-4). 0-2 u mbyll pjesa e parë e ndeshjes, kurse shënues ishin Broja dhe Selmani, kurse në pjesën e dytë gjilanasit i shënuan edhe dy gola të tjetër me anë të Manajt dhe Zulfiut. Kualifikimin në gjysmëfinale të mërkurën e kanë siguruar edhe skuadra e Llapit dhe ajo e Drenicës. Llapi këtë sukses e arriti falë fitores në çerekfinale kundër Malishevës me rezultat 1-0.
Ndërsa, Drenica arriti që në stadiumin “Bajram Aliu” ta mposhtë skuadrën e Superligës Ferizajn (1-0). Trofeu i Kupës është mjaft i lakmuar për klubet e Kosovës, pasi fituesi i kësaj gare e siguron pjesëmarrjen në gara evropiane.
/Epoka e re/