Prishtina do të blejë autobusë elektronik, paralajmërohet rritja e çmimit të biletave

18 korrik 2022 | 12:17

Kryeqytetit do t’i shtohen edhe 31 autobusë të rinj, disa prej tyre elektronikë, me të cilët pritet edhe shtimi i linjave të reja.

E derisa paralajmërohet ngritja e çmimeve të biletave për 10 cent më shumë në Komunën e Prishtinës, kanë thënë se rritja e çmimit është kërkesë e BERZh-it, që vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu,  ka bërë me dije se në muajin shtator do të fillojë procedura për flotën e re që parasheh ardhjen e 31 autobusëve. Ai ka thënë se do të këtë 6-8 autobusë elektrikë që do të mundësojnë linja të reja.

“Prej këtyre 31 autobusëve së fundmi ne kemi bërë një ndryshim prej kërkesës me qëllim se brenda flotës të kemi edhe minibus. Qëllimi është që këta minibusit të funksionojnë në zonat rurale, periferike, ku kemi më shumë kërkesa prej qytetarëve, por në të njëjtën kohë ka shumë mundësi dhe potencial të shtohen linja të reja. Me autobusët e flotës aktuale është e pamundur thuaje me operuar, kjo është arsyeja që kemi bërë kërkesë që të këtë edhe minibus. Gjithashtu, brenda flotës se re do të këtë 6-8, autobusë elektrikë të cilën do të shfrytëzohen në këtë zonë, në zonën e unazës qendrore, e cila parashihet të implementohet, andaj para se të fillojë në shtator procedurat, ne prej BERZh-it, kemi pasur takime, diskutime, ku kemi dy kërkesa. Kërkesa e parë ka të bëjë me themelimin e një kontrate të re me një operator privat, pra prej një operatore privat, në formatin e njëjtë qysh e kemi trafikun urban , pagesë për kilometër”, ka deklaruar ai për “Kosovapress”.

Musliu ka bërë me dije se kanë bëre kalkulime në lidhje me çmimet e biletave dhe kanë dalë me rezultate që është e pamundur të operojnë me çmimin aktual të derivateve, pasi brenda kërkesës së BERZh-it është argumentuar që ata kërkojnë stabilitet financiar. Prandaj në shtator pritet të këtë rritje të çmimit të biletës për udhëtarët për 10 cent, ku çmimi do të jetë nga 40 cent në 50 cent.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djaloshi 11-vjeçar Arianit Ademaj po i mahnitë të gjithë me…