Prishtina e kërkon sonte fitoren e tretë në FIBA Europe Cup
Z-Mobile Prishtina do ta kërkojë sonte fitoren e tretë në FIBA Europe Cup.
“Bardhekaltrit” do të përballen me liderin e grupit, Bakken Bears në “Risskov Hallen”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin E, e cila do të fillojë në orën 18:30.
Klubi më i madh kosovar e ka nisur në mënyrë fantastike këtë sezon në këtë kompeticion me fitore në shtëpi ndaj Cherkaski Mavpyt dhe më pas me një tjetër fitore në Rumani ndaj Steaua Bukureshtit.
Këto dy fitore ia mundësuan ekipit kosovar ta ndajë pozitën e parë pikërisht me kundërshtarin e sotëm, i cili duket të jetë mjaft i fuqishëm. Sidoqoftë, Dardan Berisha me shokë janë nisur drejt Danimarkës me optimizëm dhe me synim të qartë – fitoren, raporton “Zëri”.
Prishtinasit synojnë suksesin historik, respektivisht kalimin e fazës së grupeve. Bardhekaltrit e nisën sezonin në Champions League, ku u eliminuan menjëherë dhe tash po e vazhdojnë garimin në FIBA Europe League, ndërkohë që këtë edicion janë rikthyer edhe në Ligën Ballkanike, ku s’kanë luajtur ende për shkak të angazhimeve në FIBA Europe Cup.