Prishtina e njofton Rahovecin me humbje
Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet është zhvilluar ndeshja e dy skuadrave pa humbje nga pesë xhirot e mëparshme të këtij edicioni, Z Mobile Prishtinës dhe Rahovecit.
Skuadra vendase ka dalë fituese e duelit me rezultat 107-86 dhe tashmë bardhekaltrit janë të vetmit pa humbje në sezonin e ri të Superligës së Kosovës në basketboll. Nikoqirët luajtën më mirë në çerekun e parë në të cilin shënuan 33 pikë, kundrejt 20 pikëve të mysafirëve. Edhe në dhjetëminutëshin e dytë, skuadra vendase bëri performancë më të mirë se kundërshtari (29:18) dhe shkoi në pushim me epërsi bindëse (62-38).
Rahoveci u përpoq të rikthehet në fraksionin e tretë duke shënuar vetëm një pikë më pak se (26:25) se kryeqytetasit që vazhdonin me epërsinë e lartë. Mysafirët e fituan çerekun e fundit të ndeshjes (19:23), porse mbetën shumë prapa liderit me pikë (107-86).
Pas gjashtë xhirove të para në edicionin e sivjetmë në Superligën e Kosovës në basketboll, Z Mobile Prishtina ka arritur gjashtë fitore dhe është lider në tabelë me 12 pikë. Rahoveci pësoi humbjen e parë pas gjashtë xhirove dhe mban vendin e dytë në tabelë me një pikë më pak se lideri.