Prishtina e sigurt drejt suksesit historik
Prishtina sot (e enjte) kërkon rezultat pozitiv ndaj Europa FC, që i mundëson kualifikimin në Ligën e Evropës.
Skuadra është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, kurse drejtuesit e klubit dhe tifozët “Plisat” kanë bërë thirrje për përkrahje maksimale drejt suksesit historik për skuadrën më të madhe në Kosovë.
Prishtina në ndeshjen e parë të zhvilluar në kuadër të parakualifikimeve në Gjibraltar luajti baras 1-1 ndaj Europa FC, kurse hero i kryeqytetasve të Kosovës ishte Meriton Korenica që realizoi golin e barazimit nga gjuajtja e lirë. “Rezultati i ndeshjes së parë na konvenon për ndeshjen kthyese. Pjesa e dytë shkoi shumë më mirë se e para, ku kemi shënuar dhe kemi pasur mundësi të shënojmë edhe gol tjetër. Besoj shumë se do ta kalojmë raundin”, ka thënë Korenica.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë me fillim nga ora 19:00.
/Epoka e re/