Prishtina fiton Kupën dhe siguron daljen në Evropë

29 korrik 2020 | 19:52

Prishtina e ka fituar Kupën për herë të shtatë në historinë e saj, pasi në finale e ka mposhtur Ballkanin me rezultat 1-0. Prishtina është skuadra e dytë që do ta përfaqësojë Kosovën në garat parakualifikuese të Ligës së Evropës, pas Gjilanit. Ndërsa në Ligën e Kampionëve merr pjesë skuadra e Dritës

Skuadra e Prishtinës është fituese e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, pasi në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka mposhtur Ballkanin (1-0). Skuadra kryeqytetase e ka fituar Kupën për herë të shtatë në historinë e saj dhe me këtë rast e ka siguruar pjesëmarrjen në garat parakualifikuese të Ligës së Evropës.

Në minutën e 20 Diar Miftaraj asiston për Oto John, i cili realizon golin e parë. Në minutat në vazhdim, Ballkani u përpoq ta barazojë rezultatin por, pa sukses. Në anën tjetër Prishtina në fund të pjesës së parë lëshoi edhe një rast të mirë, kur Meriton Korenica nuk arriti ta dërgojë topin në portën e skuadrës suharekase. Në pjesën e dytë rastet nuk munguan, por gola të tjerë nuk pati. Topalli, Krasniqi dhe Daku nuk arritën ta barazojnë rezultatin, derisa në minutën e 80 Liridon Fetahaj shënoi gol, por gjyqtarët e anuluan për shkak të pozitës jashtë loje.

Edhe Prishtina pati raste shënimi, por që nuk u konkretizuan në gol. Prishtina pas dështimit në garën për titull arriti ta fitojë Kupën dhe tash do të marrë pjesë në garat e Ligës së Evropës, kurse Ballkani ishte ndër skuadrat më të mira gjatë gjithë kampionatit, por edicionin 2019/2020 e mbylli pa asnjë trofe.

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 26 korrik 2020, rreth orës 21:50, Policia e Kosovës…