Prishtina fiton në Podujevë, Drita merr një pikë në Ferizaj

28 gusht 2022 | 20:41

Prishtina e ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive në fillim të këtij edicioni në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra nga kryeqyteti, ka shënuar fitore, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” si mysafire e Llapit,me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së katërt.

Për skuadrën e drejtuar nga Ismet Munishi kjo është fitorja e dytë në tri takimet e luajtura deri më tash, ngase ndeshja e javës së tretë me Dritën është shtyrë. Për fitoren e Prishtinës realizuan Kreshnik Uka nga penalltia, në minutën e 14-të dhe Endrit Krasniqi, në minutën e 58-të. Ndërkaq, golin e vetëm për llapjanët e shënoi Trimror Selimi, në minutën e 75-të.

Në ndeshjen tjetër, Ferizaj – Drita, nuk pati fitues, pasi kjo përballje u mbyll baras 1:1.

Drita kaloi e para në epërsi me golin e Besnik Krasniqit, nga penalltia, në minutën e 68-të, teksa një pikë ferizajasve ia siguroi Egzon Shabani, me golin e shënuar në minutën e 85-të, po ashtu nga pika e 11-metërshit. Krejt në fund të ndeshjes Ferizaj shënoi nëpërmjet Ramush Ramadanit, por pas rishikimit të VAR-it goli doli të ishte i parregullt për shkak të pozitës jashtëloje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka…