Prishtina, fituese e turneut “Burim Hatipi”
Fitues i turneut memorial “Burim Hatipi 2017”, është ekipi FC Prishtina. Në finale skuadra e udhëhequr nga trajneri Jusuf Tortoshi, mposhti ekipin Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit. Koha e rregullt prej 20 minutave përfundoi 1-1, ndërsa pas një drame të vërtetë në ekzekutimin e penalltive, Prishtina fitoi 4-3.
Gramoz Vokrri shënoi penalltinë vendimtare për fitoren e bardhekaltërve. Është interesant të theksohet që këto dy skuadra ishin ballafaquar vitin e kaluar në rrethin e parë, dhe Prishtina kishte humbur 5-2. Sivjet në këtë turne morën pjesë 8 ekipe, FC Prishtina, Komiteti Olimpik i Kosovës, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, dy skuadra të gazetarëve sportivë nga Kosova, Radio Televizioni Shqiptar, Radio Televizioni i Kosovës dhe DigitAlb.
Komisioni i përbërë nga Gani Kosumi, Fitim Selmani dhe Arlind Sadiku zgjodhën dekanin e FEFS-së, Musa Selimi futbollistin më të mirë të turneut. Fanellën me numër 8 të cilën e ka mbajtur i ndjeri Burim Hatipi, iu dorëzuar Selimit nga i biri i Burimit, Vërshimi.
Legjenda e futbollit shqiptar, Klodian Duro dorëzoi mirënjohjen për golashënuesin më të mirë të turneut, Muharrem Sahiti që shënoi 5 gola.
Çmimin portieri më i mirë e fitoi Ardian Sallahu nga FEFS. Të pranishëm në këtë turne ishin edhe shumë figura të njohura të sportit në Kosovë, Bylbyl Sokoli, Ajet Shosholli, Ramiz Krasniqi, poashtu nga Shqipëria Dëfrim Met’hasani, Shpëtim Gjoshi, Dritan Shakohoxha etj. SHGSK-ja dhuroi mirënjohje për, Radio Televizionin Shqiptar dhe Digitalb. U nderuan me medalje dhe 4 gjyqtarët që ndanë drejtësinë në këtë edicion, Besar Beqiri, Besart Ismajli që referuan deri në finale, ndërsa në ndeshjen vendimtare ndanë drejtësinë dyshja Ismajl Kasumi dhe Fikri Krivaqa që poashtu pranuan medalje.