Prishtina, kampione e Kosovës në basketboll
Prishtina është kampione e Superligës së Kosovës në basketboll për vitin 2019.
Pasi fitoi Kupën, Prishtina ka triumfuar edhe në Superligën e Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Rahovecin. Me këtë fitore, Prishtina siguroi titullin e 13 nga paslufta (të 14-tin nga viti 1991).
Në serinë e finaleve, Prishtina u tregua më e fortë se Rahoveci, duke triumfuar 3-1, ndërsa në takimin e fundit, në “Mizahir Isma”, skuadra nga kryeqyteti i shkatërroi vendasit duke fituar me rezultat 104:75.
Ndeshja në “Mizahir Isma” u përcjell me shumë tensione. Në çerekun e tretë, ndeshja u ndërpre kur Prishtina po fitonte 71:52, pasi një tifoz hyri në parket në një moment kur disa basketbollistë i lëshuan nervat dhe nisën sherrin.
Gjyqtarët e ndeshjes Daut Mahmeti, Dardan Maxhuni dhe Elldin Uglari menjëherë ndërprenë ndeshjen dhe kërkuan që të zbrazet palestra, dhe më pas rinis takimi pa pranin e tifozëve dhe Prishtina tregoi sërish forcën e saj, duke triumfuar me rezultat 104:75.
Ky është titulli i 14 i Superligës në histori për Prishtinën që nga viti 1991, i 13-ti pas luftës.