Prishtina, ‘kampione’ e transferimeve
Argjend Mustafa të premten është prezantuar në skuadrën e Prishtinës, kurse ish-shokët e tij në skuadrën e Trepçës ’89, Bledar Hajdini dhe Fiton Hajdari, janë prezantuar te Llapi. Prishtina i ka mbyllur transferimet, kurse Llapi dhe skuadrat e tjera pritet të janë aktive edhe gjatë ditëve të ardhshme.
Skuadra e Prishtinës ka reaguar fuqishëm pas mbylljes së kampionatit 2017/2018, duke transferuar brenda javës plot pesë futbollistë cilësorë. Dy prej tyre, Ahmet Haliti dhe Armend Thaqi, ishin pjesë e kësaj skuadre edhe në të kaluarën, kurse për herë të parë fanellën “bardhekaltër” do ta bartin Meriton Korenica, Leotrim Bekteshi dhe transferimi i së premtes, Argjend Mustafa. 24-vjeçari nga Theranda ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me skuadrën kryeqytetase, kurse shpreh optimizëm se në edicionin e ri Prishtina do të shpallet kampione e Superligës.
“Zgjidhja për të nënshkruar me Prishtinën ishte shumë e lehtë dhe u përmbush pas disa tentimeve dhe dëshirës për të qenë pjesë e klubit më të madh në vend. Prishtinën e shoh si pretendente kryesore për titull dhe së bashku kam shumë besim se do t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Mustafa, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Ballkanin, Ramiz Sadikun, Trepçën, Trepçën ’89 dhe Skënderbeun. Ndërsa skuadra më e madhe në vend nëpërmjet një njoftimi për medie ka bërë me dije se transferimet për Ligën e Evropës kanë përfunduar, eventualisht mund të bëhet edhe një transferim nga jashtë Kosovës për repartin e sulmit. Siç dihet, Prishtina e mbylli kampionatin në pozitën e dytë me tri pikë më pak se Drita e Gjilanit, kurse në finale të Kupës doli fitimtare përballë skuadrës së Vëllaznimit nga Gjakova.
Hajdini dhe Hajdari zyrtarizohen te Llapi
Aktive të premten është treguar edhe skuadra e Llapit, e cila prezantoi dy transferimet për edicionin e ri futbollistik 2018/2019. Bëhet fjalë për portierin Bledar Hajdini dhe sulmuesin Fiton Hajdarin, të cilët në edicionin e fundit ishin pjesë e skuadrës së Trepçës ’89. 22-vjeçari është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në futboll, kurse në edicionin e kaluar pati paraqitje tejet të mira duke mbajtur plot 18 herë portën e paprekur, ndërsa gjatë edicionit 2016/18 arriti të shpallej kampion me Trepçën ’89 ku edhe mori pjesë në garat e Ligës së Kampionëve. Ndërsa Fiton Hajdari është 26-vjeçar dhe njihet për golin historik të shënuar në Ligën e Kampionëve për Trepçën ’89. Skuadra e Llapit rrezikon të humbasë dy yje që shkëlqyen në kampionatin e fundit, Mentor Zhdrellën dhe Hamdi Namanin. Për Zhdrellën interesim kanë treguar Drita dhe Feronikeli, kurse për Namanin besohet se ka arritur marrëveshje me skuadrën nga Drenasi dhe në fund të qershorit do të zyrtarizohet.
Besa aktive, por afër të humbas Qorrajn
Besa e Pejës po tregohet skuadër aktive pas rënies në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Kjo skuadër fillimisht arriti marrëveshje me trajnerin Ismet Munishi, kurse tash është shumë afër marrëveshjes me Dugagjin dhe Kushtrim Gashin. Drejtuesit e klubit pejan kanë kontaktuar edhe ish-lojtarët: Albert Dabiqaj, Arber Prekazi, Fisnik Papuqi dhe Kastriot Rexha. Megjithatë, nga Peja pritet të largohet gjatë ditëve në vijim mesfushori i talentuar Floren Qorraj. Ky i fundit po kërkohet nga Flamurtari i Vlorës.
(Epoka e re)