Prishtina – Kastrioti, ndeshja më interesante e javës
Me ndeshjen Prishtina-Kastrioti mbyllet xhiroja e pestë e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Ndeshja që zhvillohet të hënën nga ora 20:00 është po ashtu më interesantja e javës.
Të dy skuadrat i kanë nga katër pikë dhe do të kërkojnë fitore për të mbetur në hap me Rahovecin e Besën.
Xhiroja fillon me ndeshjen Besa Famgas – Vjosa, që zhvillohet të shtunën nga ora 13:00 në Pejë. Besa është favorite e madhe. Po të shtunën, prej orës 19:00, Rahoveci e pret Trepçën që po kalon moment të vështirë. “Vreshtarët” llogarisin në dy pikë të reja.
Të dielën është takimi Llapi – Vushtrria, që nis në ora 17:00. Edhe në këtë ndeshje pritet rivalitet dhe hendboll i mirë. Cilësia e skuadrave vlerësohet e përafërt, kështu që ndeshja pritet të jetë e hapur deri në fund.
Në Ligën e Parë të hendbollistëve është java e tretë. Të shtunën janë ndeshjet Samadrexha – Drenica (18:00) dhe Drita – Istogu (16:30). Të dielën prej orës 14:30 në Shtime takohen Ulpiana e Vëllaznimi, ndërsa të hënën prej orës 18:30 është ndeshja Prizreni – Deçani.