Prishtina kërcënon Vëllaznimin me humbje
FC Prishtina, pas pushimit dhjetëditor për shkak të ndeshjeve të kombëtarëve, synon ta vazhdojë garën për titull me fitore ndaj Vëllanzimit.
FC Prishtina është e vendosur për t’i marrë pikët e plota nga ndeshja ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, e cila zhvillohet sot (e shtunë) në kuadër të javës së 25-të. Mbrojtësi i krahut të djathtë i Prishtinës, Përparim Osmani, e pranon se kryeqytetasit po kanë telashe me zhvillimin e ndeshjeve jashtë fushës së tyre, por beson në fitore ndaj kuqezinjve të Gjakovës.
“Përballja me Vëllaznimin, ndeshje jo e lehtë për ne. Po na penalizon shumë terreni si vendës mirëpo, pavarësisht prej këtij hendikepi, kemi punuar maksimalisht për t’i korrigjuar gabimet që kemi bërë në ndeshjet e fundit. Në këtë takim do të hyjmë me të gjitha forcat dhe me të vetmin qëllim që nga ndeshja të dalim me tri pikë”, ka thënë Osmani.
Lidhur me ndeshjen ndaj Prishtinës, të premten për “Epokën e re” ka folur edhe sulmuesi Dardan Rogova, i cili shpreson se skuadra e tij të mos pësojë humbje në Pejë nga skuadra e Prishtinës. “Synimet tona për këtë ndeshje janë që të dalim me pikë, pasi çdo pikë e fituar ka domethënie të madhe për skuadrën tonë. Këto dhjetë ditë kanë qenë të mirëseardhura për ne pasi, si nga ana taktike, po ashtu edhe ajo fizike, jemi përgatitur mjaft mirë edhe besoj se nuk do të jetë ndeshje e lehtë për Prishtinën. Kemi mungesa mjaft të rëndësishme si ajo e Gentian Mazrekajt, Ardit Vokshit dhe Tun Bardhokut. Prishtina si gjithmonë është skuadër që synon titullin kampione, prandaj do të jetë ndeshje e vështirë, por shpresoj se do ta dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Rogova. Prishtina aktualisht pozicionohet e dyta me 43 pikë, një pikë më pak se skuadra lidere, Drita. Ndërsa skuadra e Vëllaznimit pozicionohet e nënta me 31 pikë. Të shtunën nga ora 14:00 zhvillohet edhe ndeshja në mes të Dritës dhe Flamurtarit.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)