Prishtina kërkon fitore në derbin ndaj Feronikelit

04 dhjetor 2020 | 10:10

Mesfushori Endrit Krasniqi ka thënë se Prishtina është e gatshme për t’i marrë tri pikët e plota në ndeshjen kundër Feronikelit e cila zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Java e gjashtëmbëdhjetë në Superligën e Kosovës në futboll fillon sot (e premte) me ndeshjen Prishtina – Feronikeli e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 13:00.

Kryeqytetasit kanë mbetur 11 pikë pas skuadrës lidere, Ballkanit, dhe në ndeshjen e sotme hyjnë për fitore në mënyrë që të mos shtohet dallimi i pikëve me skuadrat e para, derisa në anën tjetër “Nikli” po kalon nëpër një formë të mirë dhe do të përpiqet të marrë pikë në Prishtinë. Mesfushori Endrit Krasniqi ka thënë se ndeshja është e vështirë, por Prishtina është e gatshme për të korrur fitore.

“Të gjitha ndeshjet e mbetura të stinorit vjeshtor janë të rëndësishme dhe gjithsecila më e vështirë se tjetra dhe që të gjitha pretenduese për kreun e tabelës. Shpresoj se me lojë të mirë të korrim fitore në përballjen me Feronikelin, i cili ka ekip të mirë, por nuk e ka pasur formën optimale që nga fillimi i kampionatit. Është ekip i rrezikshëm, por ne do të përpiqemi t’i kryejmë detyrat tona të cilat i kemi për ta arritur objektivin që kemi”, ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të klubit prishtinas.

“Bardhekaltrit” në ndeshjen e fundit kanë shënuar fitore ndaj Besës (0-2) dhe aktualisht e mbajnë pozitën e tretë me 24 pikë, kurse me rezultat të njëjtë fitore ka shënuar edhe Feronikeli ndaj Trepçës ’89. Ish-kampionët e Kosovës renditen në vendin e pestë me 19 pikë.

SUPERLIGA – Java e 16-të

Të premten takohen:
13:00 Prishtina – Feronikeli

Të shtunën takohen:
13:00 Trepça ’89 – Gjilani
13:00 Arbëria – Drenica

Të dielën takohen:
12:00 Llapi – Besa

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vaksinat e reja kanë një reagim fenomenal kundrejt koronavirusit dhe…