Prishtina kërkon fitoren e parë ndaj Flamurtarit

27 mars 2019 | 10:54

FC Prishtina, pas një barazimi dhe një humbje nga Flamurtari në këtë kampionat, sot e kërkon fitoren e parë ndaj kësaj skuadre.

Pas ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në Futboll, rikthehet IPKO Superliga me ndeshjen e mbetur të javës së 23-të në mes të Prishtinës dhe Flamurtarit. Skuadra e Prishtinës kërkon maksimumin e pikëve në derbin e kryeqytetit, pasi në këtë kampionat ende nuk e ka shijuar fitoren ndaj skuadrës kuqezi. Mbrojtësi Armend Thaqi ka thënë se atmosfera është e mirë në skuadrën e Prishtinës dhe synimi i vetëm është fitorja ndaj Flamurtarit, në ndeshjen që zhvillohet sot (e mërkurë) nga ora 14:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Po kthehemi nga pushimi më i gjatë sesa i ekipeve të tjera dhe mendoj se na ka bërë mirë para përballjes me kundërshtarin që na ka shkaktuar më së shumti probleme në këtë edicion duke mos arritur ta mposhtim asnjëherë. Na pret një ndeshje e vështirë. Nuk na lejohet më të gabojmë dhe normalisht synojmë të zhvillojmë lojë të mirë dhe t’i fitojmë tri pikët. Atmosferën në skuadër e kemi shumë të mirë, megjithëse kemi probleme me mungesa, duke mos ditur se a do të mund të startojnë disa prej tyre apo jo, për çka do të vendosin trajnerët. Por, e jona është ta japim maksimumin për tri pikët më se të domosdoshme”, ka thënë Thaqi për faqen zyrtare të klubit.

Aktualisht Prishtina pozicionohet në vendin e tretë me 47 pikë, kurse Flamurtari është në vendin e nëntë me 28 pikë të grumbulluara. Për derbin ndaj Prishtinës foli edhe portieri i Flamurtarit, Flamur Neziri, i cili në të kaluarën e kishte djersitur fanellën “bardhekaltër”.

“Para vetes e kemi një ndeshje shumë të vështirë, pasi përballemi me Prishtinën. Nëse angazhohemi dhe luajmë me disiplinë mund të nxjerrim rezultat të favorshëm, sikurse që kemi nxjerrë në dy ndeshjet e kaluara. Do të ishim të kënaqur edhe me një barazim në këtë ndeshje, pasi kundërshtari ynë ka cilësi të mëdha”, ka deklaruar Neziri, i cili me këtë rast ka konfirmuar se Flamurtari në këtë ndeshje është pa Lorik Maxhunin dhe Gentrit Dumanin. Ndërkohë faqja zyrtare e Klubit të Prishtinës ka njoftuar edhe për çmimin e biletave për këtë ndeshje që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Çmimi për biletat në tribunën lindore është 2 euro, kurse për tribunën perëndimore është 3 euro. Për tribunën VIP kushton 5 euro.

 

IPKO Superliga

  1. Feronikeli 23 55 pikë
  2. Llapi 23 48
  3. Prishtina 22 47
  4. Drita 23 38
  5. Gjilani 23 32
  6. Drenica 23 30
  7. Ballkani 23 29
  8. Trepça ’89 23 28
  9. Flamurtari 22 28
  10. Ferizaj 23 25
  11. Liria 23 24
  12. KEK-u 23 1

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkarkimi i Kristian Panuçit nga posti i trajnerit të Kombëtares…