Prishtina kërkon fitoren e tretë radhazi ndaj Dritës
Sot në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohet derbi i javës së 21-të në elitën e futbollit të Kosovës në mes të Prishtinës dhe Dritës. Po nga ora 13:00 në program janë edhe dy ndeshjet e tjera për këtë xhiro: Gjilani – Ballkani dhe Trepça ’89 – Llapi.
FC Prishtina, pas dy fitoreve në ndeshjet e fundit kundër Dritës, synon ta marrë edhe fitoren e tretë dhe në këtë mënyrë të ecë drejt titullit kampion në Superligën e Kosovës në futboll. Në fakt, sot (e mërkurë) nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadra kryeqytetase e pret kampionen në fuqi, Dritën. “Skuadra nuk ka probleme në përbërje. Pritet edhe rikthimi i Lilajt dhe duke e parë se si skuadra po gëzon formë maksimale, atëherë nesër mund të presim angazhim maksimal dhe që skuadra të dëshmojë se dy fitoret për Kupë dhe Superkupë ndaj Dritës nuk kanë qenë të rastësishme”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
Ndërsa trajneri Zekrija Ramadani ka paralajmëruar ditë më parë se në ndeshjen e radhës kundër Dritës do të provojë një skenë të re për faktin se gjilanasit tashmë mund ta kenë studiuar lojën e Prishtinës: “Ndeshjet me Dritën gjithmonë janë të forta edhe kur kemi pasur tre përballje rresht në kohë të shkurtër. Do të punojmë në këto katër ditët e ardhshme për një skemë më ndryshe, sepse besoj se Drita tani më mirë na ka analizuar dhe do ta kemi të vështirë të përballemi në mënyrën e mëhershme. Është ndeshje tejet e rëndësishme dhe nëse na del mirë në stërvitje mund të ndryshojmë sistem për të mërkurën”.
Drita në ndeshjen e fundit është befasuar nga Trepça ’89, pasi pësoi humbje në Gjilan me rezultat 1-2. Për ndeshjen ndaj prishtinasve ka folur edhe mbrojtësi i Dritës, Adrian Cuculi. Ky i fundit është optimist se kampionët janë në gjendje ta dëshmojë forcën e tyre ndaj një kundërshtari të fortë siç është Prishtina. “Brenda një periudhe shumë të shkurtër kemi luajtur kundër Prishtinës dy ndeshje dhe tashmë është ndeshja e tretë. Kjo ndeshje vjen pas një dështimi të vogël në shtëpi dhe është momenti ta tregojmë forcën tonë të kampionit në ndeshjen ndaj një skuadre të fortë siç është Prishtina”, ka thënë Cuculi.
Aktualisht Prishtina është e treta me 38 pikë, kurse Drita zë vendin e dytë me 44 pikë. Sot (e mërkurë) do të zhvillohen edhe dy derbi të tjerë në elitë. Gjilani i Bylbyl Sokolit e kërkon këndelljen ndaj liderit të re në renditjen tabelore, Ballkanit, kurse Llapi kërkon edhe një tjetër sukses në sezonin pranveror, kësaj radhe ndaj Trepçës ’89 në “Riza Lushta”.
SUPERLIGA – Java 21
Të mërkurën takohen:
13:00 Gjilani – Ballkani
13:00 Trepça ’89 – Llapi
13:00 Prishtina – Drita
Të enjten takohen:
13:00 Feronikeli – Drenica
13:00 Besa – Arbëria
/Epoka e re/