Prishtina kërkon këndelljen ndaj Dritës
FC Prishtina pas dy humbjeve në Superligë është përgatitur për t’i marrë tri pikë në derbin ndaj Dritës. “Motivi i skuadrës tonë është për t’u kthyer të fitoret dhe në vendin dhe ku e meriton skuadra së bashku me tifozët”, ka thënë Useini. Ndërsa në anën tjetër gjilanasit kërkojnë vazhdimësi të fitoreve në mënyrë të jenë në garë për titull deri në fund.
Derbi i madh në futbollin e Kosovës zhvillohet sot (e mërkurë) mes Prishtinës dhe Dritës, në kuadër të javës së 21-të në Superligë. Kryeqytetasit kanë humbur dy ndeshjet e fundit dhe ndaj Dritës kërkojnë që t’i rikthehen fitoreve dhe të fillojnë një cikël me rezultate pozitive.
Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” me fillim nga ora 13:00. Para kësaj ndeshje për faqen zyrtare të klubit ka folur Muhamed Useini. Ai ka thënë se forca e një ekipi shihet kur reagon pas humbjes, derisa e konsideron si ndeshje të vështirë përballjen me skuadrën nga Gjilani.
“Do të jetë ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari të mirë, mirëpo sikurse në çdo ndeshje, edhe kësaj radhe do të futemi për më të mirën dhe shpresoj se tre pikë do të mbeten tek ne. Forca e një ekipi shihet atëherë kur reagon pas humbjeve, duhet reaguar për t’u rikthyer. Prishtina shumë shpejt do të rikthehet te fitoret dhe lojërat e mira. Motivi i skuadrës tonë është për t’u kthyer të fitoret dhe në vendin dhe ku e meriton skuadra së bashku me tifozët”, ka thënë Useini.
Në anën tjetër, Drita ka shënuar fitore në ndeshjen ndaj Dukagjinit dhe kërkon që të vazhdojë serinë pozitive në Superligë dhe të jetë në hap me Ballkanin në garën për titull. Për ndeshjen ndaj Prishtinës foli edhe trajneri i Dritës, Arsim Thaqi, i cili thënë se skuadra e tij nuk guxon të bë3jë asnjë hap fals nëse dëshiron të vazhdojë rrugën për titull.
“Pas fitores gjërat gjatë javës shkojnë shumë mirë qoftë për trajnerin qoftë për lojtarët janë më të motivuar dhe të angazhuar në stërvitje. Prishtina është ekip i madh me histori në futbollin e Kosovës dhe do të qasemi me seriozitetin maksimal. Ne kemi analizuar Prishtinën duke i lënë anash humbjet e kundërshtarit ne duhet të fokusohemi te loja jonë dhe të bëjmë më të mirën në ndeshje. Ata dinë të organizohen dhe në momente të caktuara të bëjnë kthesa, prandaj çdo ndeshje është si finale dhe duhet fitohet. Lojtarët besoj e kanë kuptuar cili është qëllimi jonë. Çdo pikë e humbur për ne është e parikuperueshme”, ka thënë Thaqi në konferencë për media. Krahas kësaj ndeshje sot zhvillohen edhe dy ndeshje tjetër. Malisheva e pret Llapin, kurse Drenica ka punë me Gjilanin. Dy ndeshjet tjera të kësaj xhiro zhvillohen të enjten dhe takohen Trepça ’89-Ballkani dhe Dukagjini-Llapi.
SUPERLIGA – Xhiro 21
Të mërkurë takohen:
13:00 Prishtina – Drita
13:00 Malisheva – Llapi
13:00 Drenica – Gjilani
Të enjten takohen:
13:00 Trepça ’89 – Ballkani
13:00 Dukagjini – Llapi
/Veton ZYMBERI/