Prishtina kërkon kualifikimin

02 korrik 2019 | 11:18

Sot nga ora 17:45 në Gjibraltar zhvillohet ndeshja kthyese e Ligës së Evropës në mes St Joseph’s dhe Prishtinës. Skuadra nga Kosova, edhe përkundër që luajti në ndeshjen e parë baras (1-1), sot e kërkon kualifikimin në rrethin tjetër.

FC Prishtina sot (e martë) e zhvillon ndeshjen kthyese ndaj St Joseph’s me shpresën që do të arrijë të kualifikohet në raundin tjetër. Për të arritur një sukses të tillë, skuadra “bardhekaltër” do të djersitet mirë për faktin se në ndeshjen e parë parakualifikuese në Ligën e Evropës të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luajti baras (1-1).

Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka mbajtur të hënën stërvitjen e fundit para ndeshjes që zhvillohet të martën nga ora 17:45 në Gjibraltar. Gazeta ka provuar të marrë deklarata nga lojtarët lidhur me këtë ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën e Prishtinës, por ata janë deklaruar se nuk iu lejohet të japin deklarata për medie.

Ndërsa trajneri Mirel Josa, pas barazimit në ndeshjen e parë, e kishte pranuar se kualifikimi do të jetë një mision i vështirë për kualifikimin në raundin tjetër. “Do të jetë vështirë edhe në ndeshjen e kthimit sepse kemi përballë një ekip që i shfrytëzon të gjitha armët, madje edhe vonimin e lojës”, kishte deklaruar Josa.

Për ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte deklaruar edhe Meriton Korenica, i cili është kthyer nga lëndimi pas dy muajve mungesë në formacionin e skuadrës kryeqytetas. “Fati na ktheu shpinën pasi që rastet i patëm dhe nuk i shfrytëzuam në maksimum dhe shpresoj në lojën tjetër të vazhdojmë dhe të kualifikohemi”, kishte deklaruar Korenica.

Një lajm i keq për Prishtinën në prag të ndeshjes me St Joseph’s është se Alban Shillova nuk mund të paraqitet, kurse edhe dy transferimet e reja, Ahmed Januzi dhe Tun Bardhoku, nuk do të kenë të drejtë të paraqiten, pasi ish-klubet e tyre, Llapi dhe Vëllaznimi, nuk lejuan një gjë të tillë.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pitonët që rriten në Azinë Juglindore janë gjarpërinjtë më të…