Prishtina Lexon – 2018
Komuna e Prishtinës së bashku me 10 organizata joqeveritare organizojnë festivalin e leximit “Prishtina Lexon”, festival ky që synon ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit tek nxënësit dhe e gjithë shoqëria.
Prishtina Lexon ka filluar si festival i leximit që mbahet për ditën e fëmijëve. Në edicionin e sivjetmë festa do të zgjasë shtatë ditë dhe përfshinë të gjitha moshat.
Në organizim marrin pjesë 10 organizata joqeveritare që merren kryesisht me lexim, dije, filozofi dhe aktivitete rinore.
Kjo është hera e parë që krahas Komunës së Prishtinës, organizatat e shoqërisë civile e përbëjnë pjesën kryesore të programit, që fillon më 28 maj dhe përfundon më 3 qershor.
Në këtë edicion, Prishtina Lexon do të shtrihet në tërë Prishtinën dhe jo vetëm në sheshin kryesor.
Aktivitetet e para do të mbahen të hënën, nëpër shkollat e Prishtinës, për nxënësit e klasave VI deri në IX nga organizata “Toka”.
Aktiviteti i radhës, në po të njëjtën ditë, është “Nata e letërsisë dhe poetikës”, që do të mbahet në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në orën 20:30.
/Epoka e re/