Prishtina mbetet e pamposhtur, triumfon në derbi ndaj Penzës
Prishtina ka shënuar fitore ndaj Penzës në udhëtim me rezultat 82:87 (20:22, 22:21, 21:23, 19:21), në xhiron e 15-të të Superligës së Femrave. Çereku i parë ishte i baraspeshuar, ku epërsinë më të lartë e kishin prishtinaset, gjashtë pikë, 12:18 dhe 16:22, megjithatë, katër pikë në fund nga pejanet bënë që kjo pjesë të përfundojë 20:22.
Edhe periudha e dytë u karakterizua si shumë e baraspeshuar, pa arritur shkëputjen e madhe asnjëra skuadër, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 42:43. Bardhekaltret e nisën më mirë periodën e tretë, duke pasur epërsi në nëntë pikë, 49:58, megjithatë, vendaset rikthehen shpejt për të barazuar shifrat në 58:58, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:66.
Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, skuadra e Prishtinës ishte në epërsi konstante për të mos e rrezikuar fitoren dhe duke triumfuar me shifrat 82:87, çka ishte fitorja e 15-të në po aq ndeshje të zhvilluara, kurse pejanet kanë 11 fitore e katër humbje. Te Penza u dalluan Valbona Bytyqi me 23 pikë e 11 kërcime, Rael Whitsitt me 13 pikë e 13 kërcime, Jeta Zeka me 16 pikë dhe Narlyn Mosquera me 18 pikë e nëntë kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Arbnore Përquku me 23 pikë, nëntë kërcime e dhjetë asistime dhe Agnesa Rrahmani me 26 pikë e shtatë kërcime.
Ndërkohë, në ndeshjet tjera, Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 71:47 (15:5, 21:7, 22:18, 13:17), ku prizrenaset ishin më të mira nga fillimi deri në fund për të shënuar fitore të merituar.
Te skuadra prizrenase u dallua D’asia Chambers me 18 pikë e tetë kërcime, kurse te ajo mitrovicase Kelly Santos me dhjetë pikë e dhjetë kërcime. Bashkimi ka dhjetë fitore e pesë humbje, ndërkohë, Trepça ka pesë fitore e dhjetë humbje. Vëllaznimi ka mundur Kastriotin me shifrat 117:53 (23:16, 27:3, 38:15, 29:19). Te skuadra kuqezi u dallua kapitenia Rina Hoda me 25 pikë, tetë kërcime, 20 asistime dhe 12 topa të vjedhur, ndërsa te skuadra ferizajase u dallua Anita Grainca me 29 pikë e 22 kërcime. Vëllaznimi ka katër fitore e 11 humbje, ndërsa Kastrioti numëron 15 humbje në 15 ndeshje.