Prishtina më 22-23 tetor, nikoqire e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Më 22-23 tetor 2022, Prishtina do të jetë nikoqire e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS Forum).
Lajmin e ka bërë me dije në “Facebook” presidentja Vjosa Osmani.
“Ky forum do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin axhendës GPS, 22 vite pas miratimit”.
“Me temë ‘Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme’, Forumi ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtësore në procese të paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se edicioni i parë i këtij Forumi i dedikohet trashëgimisë së ish-Sekretares së ndjerë të SHBA-ve, Madeleine Albright.
“Kënaqësi të organizojmë këtë Forum në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz dhe me mbështetjen e partnerëve të shumtë lokal e ndërkombëtar”.
“Për të gjitha informatat rreth forumit, pjesëmarrësve e paneleve drejtohuni tek Presidenca e Republikës së Kosovës”, ka shkruar presidentja Osmani.