Prishtina me risi nis përgatitjet, Llapi prezanton tri transferime
Klubet elitare të Kosovës janë treguar aktive edhe të hënën, pasi janë seriozisht duke u përgatitur për sezonin pranveror. Prishtina ka filluar përgatitjet me disa risi, kurse Llapi ka prezantoi tri transferimet e reja.
Sezoni pranveror në IPKO Superligën e Kosovës në futboll pritet të jetë shumë interesant për faktin se skuadrat janë duke u përgatitur maksimalisht për këtë pjesë të edicionit 2019/2020. Klubi më i madh në vend, Prishtina, që pretendon rikthimin e titullit kampion në elitë, i filloi edhe zyrtarisht përgatitjet së pari në palestër, konkretisht në fitnes. Para futbollistëve janë paraqitur edhe aksionarët e klubit që kanë paralajmëruar korrektësi nga ana e tyre, derisa kanë kërkuar angazhim maksimal në garën për titullin kampion. “Futbollistët janë pritur nga aksionarët e klubit, Remzi Ejupi, Rrahman Haradini, Fikret Maqastena. Futbollistëve iu është premtuar korrektësi maksimale, sidomos financiare, ndërkohë nga ta është kërkuar, sidomos regjim strikt i disiplinës me synim të qartë të rikthimit të titullit në kryeqendër”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
Ndërsa kryetari i Klubit, Remzi Ejupi, e ka prezantuar drejtorin e ri sportiv, Granit Begollin. “Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, para futbollistëve ka prezantuar drejtorin e ri sportiv, Granit Begolli, i cili para lojtarëve ka premtuar se do të jetë pranë tyre për çdo kërkesë apo problem që do ta kenë”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas. Ndërsa trajneri Armend Dallku dhe kapiteni Armend Thaqi kanë premtuar përkushtim maksimal drejt qëllimit të vetëm që ka klubi, titullin e kampionit.
Klubi i Prishtinës iu ka rekomanduar që të gjejnë skuadra të reja Agon Xhakës, Art Malokut, Ramush Ramadanit, Jon Bajgorës dhe Lis Ahmetit. Trajneri Dallku ka konfirmuar se sulmuesi i njohur Otto John, sipas të gjitha gjasave, do të jetë lojtar i ri i Prishtinës. John e kishte udhëhequr skuadrën e Trepçës ’89 në rrugën drejt titullit kampion. “Ne stafi kemi kërkuar lojtarin e përshtatshëm jo vetëm në filozofinë tonë të lojës, por edhe që e njeh kampionatin tonë dhe jo të gjejmë dikë që do të na merrte kohë deri në adaptim. Nuk dua lojtarë të panjohur apo që nuk i njeh rrethanat e futbollit kosovar. Besoj se do t’ia arrijmë të sjellim atë që kemi dashur dhe mund të konfirmoj se jemi afër pothuajse 95 % me Otto Johnin”, ka thënë Dallku.
Aktive të hënën është treguar edhe skuadra e Llapit, e cila vetëm një ditë pas largimit të Sebinio Plakut e prezantoi zëvendësimin e tij. Bëhet fjalë për sulmuesin shkodran Jasmin Raboshta, i cili në sezonin vjeshtor e djersiti fanellën e skuadrës së Vushtrrisë. “Qendërsulmuesi shkodran Jasmin Raboshta nga dita e sotme është futbollist i Llapit. Raboshta ka nënshkruar kontratë me klubin deri në përfundim të këtij edicioni me mundësi vazhdimi edhe për një vit”, thuhet në njoftimin e Llapit. 29-vjeçari ka luajtur për disa klube në Shqipëri, kurse karrierë ka bërë edhe në Turqi. Ai në karrierën e pasur futbollistike ka shënuar mbi 120 gola. Në klubin nga “Zahir Pajaziti” të hënën janë prezantuar edhe Nertil Hoxhaj dhe Franci Lena. Hoxhaj ishte pjesë e Vushtrrisë në sezonin vjeshtor, kurse Lena ishte kapiten i Shkëndijës së Tiranës. Të hënën përgatitjet i ka filluar edhe skuadra e Dritës, e cila synim ka titullin e kampiones në Superligë.
/Epoka e re/