Prishtina me synime të mëdha në Kosovë dhe arenën ndërkombëtare

25 gusht 2022 | 17:09

“Bardhekaltrit” i kaluan disa sezone dëshpëruese, ndërsa tash duan të kthehen në majat e basketbollit vendor, por të tregohen të suksesshëm edhe në garat evropiane.

Presidenti Burim Maraj, trajneri Ekrem Memnun dhe basketbollisti Dardan Berisha i kanë shpalosur objektivat madhore të prishtinasve në edicionin që do të nisë pas pak javësh. Ata nuk e kanë fshehur objektivin për ta fituar titullin e kampionit për herë të 14-t për këtë klub.

“Besoj se do të jetë një stinor shumë konkurrues dhe interesant. Klubi Prishtina do të marrë pjesë në Superligën e Kosovës dhe synojmë të shpallemi kampionë për herën e 14-t. Të gjitha përgatitjet dhe investimet e duhura janë bërë që klubi të ketë një sezon triumfues. Sigal Prishtina këtë vit merr pjesë në ligën prestigjioze evropiane FIBA Europa Cup, ku skuadra jonë është e vendosur në raundin e dytë dhe po presim fituesin e ndeshjes Bc Kalev Kramon nga Estonia dhe Cd Vita Junior nga Kroacia. Ndeshja do të zhvillohet më 27 dhe 30 shtator. Po këtë vit klubi ynë, për shkak të imazhit të mirë ndërkombëtar që vjen nga sukseset e mëparshme, është i ftuar edhe në ligën EN BL, Europian North basketboll ligë, apo liga e Evropës Veriore. Në këtë ligë përfshihen skuadra të forta evropiane me shtetet superfuqi të basketbollit”, ka deklaruar presidenti Maraj në konferencë për medie.

Trajneri Memnun do ta nisë përvojën e dytë te “bardhekaltrit” kurse, sipas tij, kryeqytetasit e dinë tashmë se si fitohen trofetë. “Siç e tha edhe presidenti, unë e di ku jemi, i di pritjet, e di çfarë është Prishtina kështu që ne jemi këtu për ta sjellë Prishtinën dhe t’i bëjmë ‘Plisat’ të lumtur ku ne ishim. Prishtina duhet të fitojë trofe. Ata e dinë se si fitohen trofetë dhe pritjet për trofe. Ne, gjithashtu, i njohim kundërshtarët, i respektojmë të gjithë dhe qëllimi ynë i parë është natyrisht që të provojmë të kualifikohemi në fazën e grupeve të FIBA Cup që do të jetë objektivi ynë i parë”, është shprehur trajneri turk.

Optimizëm për suksese vendore dhe ndërkombëtare u shpreh edhe basketbollisti i kthyer në Prishtinë, Dardan Berisha. “Kam ardhur për të fituar, kam ardhur për t’i fituar të gjitha çfarë është e mundshme. Jam shumë i motivuar. E di çfarë kërkon Prishtina. Besoj në trajnerin, në të gjithë stafin. Po besoj se do t’i arrij qëllimet… Jo vetëm me Pejën, por të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira. Të gjitha ekipet janë forcuar, por normalisht që me Pejën është derbi. Unë jam shumë i motivuar. Do të jetë një vit shumë i vështirë për ne, por po besoj se do ta kalojmë dhe të kemi sukses”, ka deklaruar Berisha.

Sigal Prishtina pritet ta thotë fjalën kryesore në basketbollin e Kosovës në edicionin e ri, edhe pse skuadrat e tjera janë po aq të fuqishme sa kryeqytetasit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-komandanti i…