PRISHTINA NATËN E 31 MARSIT
SALI BASHOTA
PRISHTINA NATËN E 31 MARSIT
Natë e fundit e dhembjes
Kush do ta ngulë mbi kokë gurvarrin
Seancë e gjumëharresës së neveritur
A u thahet poetëve fytyra a u ndryshkën fjalët
Duke i copëtuar vargjet e lidhura nga mallkimi
Korba korba korba fluturojnë mbi Kosovë
Asfalti i mbuluar me gjak gjurmët e ferrit ndrijnë
E nesërmja e plagosur si thikë vizëllon
Prishtina mbyllet në burg si ta shpëtojmë kokën
A jeni gjallë miqtë e mi po vjen treni i vdekjes
Gjaku rrjedh do të krimbemi morrat do të na hanë
Ku do t’i varrosim thinjat e flokëve
Thonjtë e gishtave vajin e fëmijëve
Pëshpëritjet e fundit se na plasi zemra
Refugjatë të nëmur që barrën e lirisë e bartin në shpinë
Duke pritur arkivolin pa shqipshkrim
Të lagur në shiun e përgjakur të marsit
(1999)
POEZI E VRARË
digjej dhoma ime shtëpia prej guri biblioteka e shpirtit
dorëshkrimet e shpirtit librat e shpirtit të gjitha
mallkimet
muret e bardha vaji i Rozafës astma e tim ati trishtimi
im
makina e ndryshkur e shkrimit çanta e vjetër e
gjimnazit të Kijevës
shtrati i hekurt lulja e vyshkur
lapsat e ndryshkur të fëmijëve flokët e zbardhur të
nënës
pasqyra e zezë klithma e vëllait
pastaj fotografitë e grisura të gruas
lotët e fluturave dhe një nga ëndrrat më të bukura
më vonë parakalojnë tanket më vonë shtëpisë i del
tymi
pastaj vdesin zogjtë një nga një pastaj shkrumbohen
kujtimet pastaj
digjej dhoma ime shtëpia prej guri biblioteka e shpirtit
LOJA E TMERRIT
Grua mbuloma kokën me batanije
Fëmijët janë zverdhur nuk do t’i çelë mëngjesi
Shi i zi bie në kufirin e vdekjes
Bllaca gjëmon kur na i zhveshin edhe ndjenjat
Ç’trishtim i tmerrshëm këput litarët e lotëve
Populli im midis dy grumbuj gjarpërinjsh këlthet
Po vdes në shkretëtirën e atdheut të vet
O Zot jam njeri i shndërruan në numër
Kur loja e tmerrit vazhdon pa pikë pa presje
(2 prill 1999)
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)