
Prishtina natën e 31 marsit 1999
31 mars 2022
| 19:17
Sali Bashota
Natë e fundit e dhimbjes
Kush do ta ngulë mbi kokë gurvarrin
Seancë e gjumëharresës së neveritur
A u thahen poetëve fytyra a u ndryshken fjalët
Duke i copëtuar vargjet e lira nga mallkimi
Korba korba korba fluturojnë mbi Kosovë
Asfalti i mbulur me gjak gjurmët e ferrit ndrijnë
E nesërmja e plagosur si thikë vizëllon
Prishtina mbyllet në burg si ta shpëtojmë kokën
A jeni gjallë miqtë e mi po vjen treni i vdekjes
Gjaku rrjedh do të krimbemi morrat do të na hanë
Ku do t’i varrosim thinjat e flokëve
Thonjtë e gishtave vajin e fëmijëve
Pëshpëritjet e fundit se na plasi zemra
Refugjatë të nëmur që barrën e lirisë e bartin në shpinë
Duke pritur arkivolin pa shqipshkrim
Të lagur në shiun e përgjakur të marsit
(1999)