Prishtina ia ndali hovin Besës
Prishtinës i ka takuar derbi i madh i javës së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Prishtina fitoi ndaj kampionit, Besa Famgas me një gol diferencë, 24:23. Kështu prishtinasit e kanë ndalur hovin e Besës që ishte skuadra e vetme pa humbje në shtatë xhirot e para.
Rezultati i derbit ka bërë që të jemi dëshmitarë të një gare shumë interesante dhe të fortë për kreun e tabelës. Tani Kastrioti, Prishtina e Besa Famgas i kanë nga 14 pikë, ndërsa menjëherë pas tyre me 12 pikë është Drita. Kjo katërshe pritet të zhvillojë garë interesante për titull e për Kupë.
Edhe pas pjesës së parë Prishtina kishte një gol epërsi, 13:12. Në pjesën e parë Prishtina ishte në epërsi që shkoi duke u rritur vazhdimisht. Kështu në minutën e 14-të Prishtina kishte avantazh prej katër golave, 8:4 e më pas edhe 9:5. Por pejanët u kthyen dhe barazuan rezultatin në 9:9. Më pas djelmoshat e Taib Kabashit prapë krijuan epërsi të lehtë dhe pas 30 minutave lojë rezultati ishte 13:12.
Epërsinë e parë Besa e kishte në minutën e 37-të, 15:14. Më pas luhej për çdo gol, ndërsa Besa në disa raste kishte edhe dy gola epërsi (18:16, 19:17, 20:18). Në minutën e 51-të rezultati u barazua në 20:20 e më pas edhe 21:21, 22:22 e 23:23. Fare në fund Prishtina realizoi për 24:23 dhe kështu fitoi derbin dramatik. O. Beshiri shënoi golin e fundit. Besës i munguan disa lojtarë të rëndësishëm.
Të enjten Vëllaznimi fitoi me një gol dallim ndaj Drenicës 20:19, ndërsa derbin vushtrrias e fitoi Vushtrria ndaj Samadrexhës me rezultat 31:25.