Prishtina ndan rrugët me Josën
Mirel Josa nuk është më trajner i Prishtinës. Pas dy sezonesh në kryeqytet, ai është ndarë me marrëveshje të dyanshme me krerët e klubit.
“Mirel Josa nuk është më trajner i Prishtinës. Jemi nda me marrëveshje të dyanshme. Pra, jemi nda në mënyrë paqësore me trajnerin nga Shqipëria të cilin e falënderojmë për punën profesionale që ka bërë. Sigurisht rezultatet jo të mira, janë ato që na kanë sjell deri këtu. Ndonjëherë kur nuk shkon, më mirë është të ndërpritet bashkëpunimi”, ka deklaruar Afrim Muçiqi nga kryesia e klubit për KTV-në.
Josa në dy sezonet te Prishtina ishte afër titullit, por atë nuk arriti ta bënte duke dështuar dy herë në xhirot e fundit. Në sezonin e ri, ai nisi dobët me bardhekaltrit. Prishtina barazoi në xhiron e parë me Flamurtarin, e më pas u mposht nga Feronikeli. Trajneri nga Shqipëria ishte kritikuar ashpër edhe nga tifogrupi i Prishtinës, “Plisat”. Madje në xhiron e fundit, ndaj Feronikelit, në Drenas, “Plisat” publikuan një transparent “Nëse nuk ke zemër ik prej Prishtinës”.
Burime të Sportit në KTV kanë thënë se Bylbyl Sokoli, Zekirija Ramadani, Ernest Gjoka, Qatip Osmani dhe Ramiz Krasniqi janë kandidatët për të zënë vendin e Mirel Josës. Problemi me Krasniqin mbetet se ai është edhe trajner i Kosovës U19.