Prishtina në raundin e tretë të Kupës Evropiane
Klubi i hendbollit Prishtina ka kaluar në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Në raundin e dytë, Prishtina është dashur të takohet me skuadrën bullgare, Dobrudja. Ndeshjet ishte planifikuar të zhvilloheshin në Prishtinë më 21 e 22 nëntor, ndërsa skuadra kryeqytetase e Kosovës llogaritej favorite për të avancuar në raundin e tretë.
Por për shkak të situatës me koronavirus, skuadra bullgare nuk ka qenë në gjendje të zhvilloj ndeshjet. Kështu EHF-ja ka vendosur që ndeshjet të anulohen dhe që KH Prishtina të kaloi në raundin e tretë.
Prishtina ishte e gatshme për të zhvilluar ndeshjet. Madje i ka pritur ato me shumë optimizëm. Skuadra prishtinase kishte bërë të gjitha përgatitjet për të pritur skuadrën bullgare, duke u kujdesur që të gjitha kërkesat lidhur me situatën aktuale, të realizohen.
Ndeshjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane, Prishtina duhet t’i luaj në dhjetor. Kundërshtarin do ta mësojë pasi të luhen ndeshjet e raundit të dytë dhe të tërhiqet shorti.