Prishtina, një prej kryeqyteteve shembuj për transparencë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku ka dalë që Prishtina është një prej kryeqyteteve shembuj për transparencë.
Hulumtimi tregon se kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u ofrojnë qytetarëve më shumë qasje në informacion, por që vendet e Evropës Lindore e Juglindore, u japin më shumë rëndësi transparencës, sesa vendet me demokraci të konsoliduar.
Në KDI u tha se kjo bëhet si tentativë për të adresuar korrupsionin më të thellë përmes politikave transparente.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI-ja, gjatë paraqitjes së raportit, në një konferencë për media ka thënë se janë matur 27 kryeqytete evropiane.
Ajo ka bërë me dije se një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit, ku hulumtimi ka gjetur se shumë shtete, në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje të cilat e rregullojnë lobimin.
Tutje, ajo ka thënë se vetëm 12 nga 26 kryeqytetet e matura kanë kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për qasje në dokumente publike lidhur me pagën e kryetarit dhe asamblistëve.