Prishtina nuk do ta luajë ndeshjen për vendin e tretë
KB Sigal Prishtina Mercure ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të parqaqitet nesër në Ligën Unike, në ndeshjen për vendin e tretë.
Skuadra e drejtuar nga Albert Sylejmani, që u eliminua në gjysmëfinale nga Trepça, në ndeshjen për vendin e tretë në Ligën Unike do të duhej të takohej me Pejën.
Mirëpo, klubi kryeqytetas ka njoftuar se sot është rikthyer nga Vlora, atje ku po mbahet “Final 8”, duke konfirmuar kështu se nuk do të paraqitet nesër.
Prishtinas e vlerësuan si “të paarsyeshme” ta luajnë ndeshjen për vendin e tretë, duke arsyetuar se kanë një agjendë të ngjeshur ditëve në vijim.
Njoftimi i plotë nga klubi i Prishtinës:
“Me ndeshjen e djeshme përfundoi edhe rrugëtimi ynë në Ligën Unike
Me tërë mbingarkesën e udhëtimeve të gjata dhe ndeshjeve të shumta brenda pak ditësh, megjithatë klubi ynë vendosi që të marrim pjesë në këtë event të organizuar nga FBK dhe FSHB me kryetar z.Avni Ponarin i cili njëkohësisht është kryetar i kompanisë SIGAL, sponzorit besnik të klubit.
Skuadra sot ka mbërritur në Prishtinë me ç’rast nuk e kemi parë të arsyeshme të luhet ndeshja për vendin e tretë pasi që na pret një agjendë edhe më e ngjeshur e ndeshjeve gjatë ditëve në vijim (6 ndeshje në 12 ditë). Kalendari i ndeshjeve në vijim:
3 prill: Prishtina – Vëllaznimi (Superligë)
5 prill: Prishtina – Peja (Liga Ballkanike)
7 prill: Prishtina – Vëllaznimi (Çerekfinale)
9 prill: Vëllaznimi – Prishtina (Çerekfinale)
Final 4 – Liga Ballkanike (në Qipro)
12 prill: Ndeshja gjysmëfinale
14 prill: Ndeshja finale
Klubi ka analizuar edhe situatën e lëndimeve të shumta gjatë muajve të fundit që vijnë pikërisht nga këto shkaqe, prandaj dhe kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve tanë.
Falenderojmë organizatorët, Ligën Unike dhe qytetin e Vlorës për mbarëvajtjen dhe mikpritjen gjatë eventit të Final 8 – Liga Unike.
KB Sigal Prishtina Mercure”.