Prishtina nuk gabon ndaj Drenicës
Prishtina ka fituar ndaj Drenicës me rezultat 2-1 në stadiumin ‘Fadil Vorkrri’ në kuadër të xhiros së 29-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Vendasit ishin më të mirë, kontrolluan lojën dhe në fund morën një fitore të merituar.
Ekipi nga kryeqyteti kaloi në epërsi me golin e Armend Thaqit në minutën e 28-të, ndërsa Mario Morina thelloi epërsinë në minutat shtesë të pjesës së parë.
Drenica kërkoi golin në pjesën e dytë, atë e arriti me Osman Mziun në minutën e 61-të, por kjo ishte e gjitha nga ata dhe me rezultatin 2-1 përfundoi ndeshja.
Tani Prishtina vazhdon në vendin e dytë me 68 pikë, aq sa Feronikeli, ndërsa vazhdon të ndiqet nga Llapi me 66 pikë. Në anën tjetër Drenica renditet në mesin e tabelës me 38 pikë.
Në xhiron e radhës Prishtina luan ndaj Dritës, kurse Drenica ndaj Feronikelit.