Prishtina paralajmëron fitore, Gjilani ua ‘mbyllë’ gojën futbollistëve
Leotrim Bekteshi ka thënë se skuadra e Prishtinës është përgatitur që në Gjilan t’i marrë tri pikët e plota, kurse vendësit kanë zgjedhur që futbollistëve t’u ndalohet deklarimi për media lidhur me ndeshjen e sotshme. Nga ora 17:00 zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera, në të cilat do të takohen Ballkani – Llapi dhe Drenica – Ferizaj.
Skuadra e Prishtinës është e përgatitur maksimalisht që t’i rrëmbejë tri pikë të plota nga ndeshja kundër Gjilanit, e cila zhvillohet sot (e mërkurë) në kuadër të javës së 29-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Futbollisti Leotrim Bekteshi ka thënë se ndeshja do të jetë e vështirë sikurse çdo përballje paraprake në mes të këtyre dy klubeve, por beson se Prishtina do të rikthehet me maksimumin e pikëve. “Normalisht na pret ndeshje shumë e vështirë, por ne i kemi qëllimet tona dhe në këtë përballje do të hyjmë sikur në çdo takim tjetër, pra për fitore. As takimet paraprake s’kanë qenë të lehta dhe as kjo ndeshje nuk dallon. Hyjmë për tri pikët. Ekipi që do të bëjë sa më pak gabime edhe do ta fitojë ndeshjen, e shpresoj që ne të jemi ata që e gëzojmë formën më të lartë, atmosferën e shkëlqyer dhe jam më se i bindur se do të kthehemi me tri pikë”, ka thënë Bekteshi për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas.
Në skuadrën e Gjilanit mobilizimi është i madh para kësaj ndeshje të rëndësishme, por drejtuesit e klubit kanë vendosur që mos t’i lejojnë futbollistët që të deklarohen për media. Gazeta ka kontaktuar me dy prej futbollistëve të Gjilanit, por përgjigjja e tyre ishte se të martën në mesditë u është konfirmuar nga klubi se nuk u lejohet të japin deklarata për media. Një praktikë e tillë tashmë është bërë modë nga shumë klube në Superligë, ku para ndeshjeve të rëndësishme futbollistëve ua ndalojnë dhënien e deklaratave për media.
Krahas ndeshjes Gjilani – Prishtina, sot zhvillohen edhe dy ndeshje mjaft interesante, në të cilat do të takohen Ballkani – Llapi dhe Drenica – Ferizaj. Ndeshja që zhvillohet në Suharekë është e rëndësishme për skuadrën vendëse e cila me fitore kërkon që të mbetet në hap me skuadrat që luftojnë për titull në elitë, kurse Llapi që ka dalë jashtë objektivave ka treguar se di të jetë skuadër e rrezikshme për kundërshtarët. Në ndeshjen tjetër që zhvillohet në Skenderaj, Drenica kërkon pikët e “arta” për mbijetesë ndaj Ferizaj. Kjo e fundit tashmë ka humbur gjasat për mbetjen në elitë dhe kuqezinjtë do ta kenë më të lehtë që ta sigurojnë fitoren.
IPKO Superliga
17:00 Gjilani – Prishtina
17:00 Ballkani – Llapi
17:00 Drenica – Ferizaj
17:00 Drita – Feronikeli
17:00 Trepça ’89 – Vushtrria
17:00 Flamurtari – Dukagjini
(Veton ZYMBERI)