“Prishtina Parking” po sjell ndryshime që duhet t’i dini
Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, ka thënë se kjo ndërmarrje do të zgjerohet edhe në disa lagje tjera të kryeqytetit. Për ta bërë këtë, kësaj ndërmarrjeje i duhet leje paraprake nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Havolli ka folur edhe për kundërshtimet e disa banorëve ndaj kësaj ndërmarrjeje, ndërsa thotë se prezenca e tyre është bërë edhe me peticione.
Havolli ka thënë se çmimet aktuale do të mbesin në fuqi, ndërsa do të lirohen banorët rezidentë në zonën e dytë.
Ai ka thënë se për shkak të tranzicionit, zgjerimi në disa lagje ka shkuar më ngadalë.
“Është zona e parë që plotësisht është e mbuluar dhe disa lagje të zonës së dytë. Ka qenë një proces pak më i ngadalshëm në ‘Bregun e Diellit’, për shkak edhe të tranzicionit në ndërmarrje mirëpo tash nga janari kemi filluar implementimin edhe në këtë lagje që është me një numër të madh të banorëve dhe po ashtu me numër të madh të hapësirave që menaxhohet prej ndërmarrjes. Ndërsa lagjet si ‘Dardania’, ‘Ulpiana’, ‘Qendra’ e ‘Lakërishta’ e kështu më radhë, vetëm se ka qenë në mbikëqyrjen dhe menaxhimin e ndërmarrjes. Megjithatë plani është që të zgjerohemi edhe në lagjet tjera por këto do t’i bëjmë së bashku me Komunën e Prishtinës që t’i marrim lejet adekuate dhe procesi i zgjerimit të jetë konform kapacitetit të ndërmarrjes për ta bërë një mbulueshmëri të mirë”.
Për të pasur mbulueshmëri të mirë, Havolli thotë se synojnë që ta zgjasin orarin e operimit deri në ora 24:00, pasi aktualisht ata me rregullore punojnë nga ora 07:00 deri në 19:00.
“Për ndërmarrjen është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne kur hyjmë në një lagje dhe e bëjmë procesin e menaxhimit të hapësirës së parkingut, qytetarët ta përjetojnë drejtpërdrejtë benefitin e menaxhimit tonë. Sot, ne i kemi identifikuar disa probleme se ne që nga ora 07:00 deri në ora 19:00, hapësira ka të mjaftueshme sepse ndërmarrja operon në këtë orar, por pas orës 19:00 meqenëse përfundon orari i punës për ne si ndërmarrje, atëherë pak situata del jashtë kontrollit dhe me të drejtë banorët e lagjeve ankohen. Dhe ne në bashkëpunim me Komunën jemi duke e dhënë kontributin tonë që ta ndryshojmë rregulloren dhe ta bëjmë orarin e punës me dy ndërrime deri në mesnatë në ora 24:00”, thotë Havolli, duke thënë se kjo rregullore pritet që të dalë këtë muaj në votim në Kuvendin e Prishtinës.
Ndonëse e pranon se ka pasur kundërshtime nga banorët, Havolli thotë se ka pasur peticione e shkresa që kjo ndërmarrje të operojë nëpër lagje.
“Ka pas kundërshtime të banorëve, 90 për qind e banorëve e kërkojnë prezencën tonë, ne kemi edhe peticione edhe shkresa e kërkesa prej banorëve që e kërkojnë prezencën e ndërmarrjes, sepse megjithatë për kohën sa operon ndërmarrja, rregulli në hapësirat e parkingut është i mirë në lagjet ku operojmë”.
Havolli ka thënë se çmimet aktuale do të mbesin në fuqi deri në ndonjë vendim tjetër. Thotë se për çmimet vendos Kuvendi Komunal.
Ai ka thënë se çmimi do të ulet për dy euro në zonën e dytë për banorët rezidentë.
“Zona e parë do të mbetet me këto çmime, ndërsa zona e dytë për rezidentët do të ulet për dy euro në muaj. Për zonën e parë do të jetë 10 euro në muaj, edhe kjo nuk është ndonjë kosto shumë e lartë, mirëpo për shkak të koncentrimit tejet të madh dhe hapësirave të vogla, zona e parë është gjithmonë pak më e shtrenjtë. Edhe në parkingjet afatshkurtra, kryesisht zona e parë e bart një kosto pak më të lartë, aktualisht është një euro, ndërsa zona e dytë është 50 cent. Besojmë se këto çmime do të mbesin në fuqi, megjithatë është çështje e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës”, ka thënë Havolli.